
153 persona mbërritën në Johannesburg pa dokumentacion të plotë, mes akuzave se Izraeli ka lehtësuar largimin e tyre nga territori i rrethuar.
Një prej 153 palestinezëve që u larguan nga Gaza këtë javë ka rrëfyer se udhëtimi i tyre drejt Afrikës së Jugut ishte një “udhë e vuajtjes”, e mbushur me pasiguri, mungesë informacioni dhe ndalesa të shumta. Loay Abu Saif, i cili udhëtoi me bashkëshorten dhe fëmijët e tij, thotë se grupi nuk e dinte se ku po dërgohej deri në momentin kur ndodhej në tranzit në Nairobi.
Fluturimi i nisur nga Aeroporti Ramon në Izrael kaloi përmes Kenias përpara se të mbërrinte në Johannesburg, ku autoritetet fillimisht nuk lejuan pasagjerët të zbrisnin, pasi dokumentet e tyre nuk kishin vulat e daljes nga Izraeli. Udhëtimi zgjati mbi 24 orë dhe u ndryshua edhe avioni gjatë rrugës.
Sipas rrëfimit të Abu Saif, largimi u organizua nga një organizatë gjermano-palestineze e quajtur Al-Majd Europe, e cila kishte shpërndarë formularin e regjistrimit në rrjetet sociale. Sipas tij, përzgjedhja u fokusua te familjet me fëmijë dhe kërkonte posedimin e një pasaporte palestineze dhe leje sigurie nga Izraeli. Kostoja e udhëtimit varionte nga 1400 në 2000 dollarë për person, përfshirë edhe fëmijët.
Abu Saif tregon se grupi u nis nga Rafahu me autobus dhe kaloi zonën e kontrolluar nga ushtria izraelite, përpara se të dërgohej në pikëkalimin Kerem Shalom dhe më pas në aeroport. Ai theksoi se pa dokumentacion zyrtar të vulosur nga Izraeli, problemi u shfaq vetëm pas mbërritjes në Afrikën e Jugut, kur autoritetet kërkuan informacion shtesë mbi itinerarin e tyre.
Ndërkohë, raportimet ngrenë dyshime se Izraeli ka luajtur rol të drejtpërdrejtë në këtë proces, duke lehtësuar kalimin e autobusëve nga brendësia e Gazës deri në aeroport. Izraeli nuk ka komentuar ende zyrtarisht.
Disa prej palestinezëve tashmë kanë vijuar udhëtimin drejt vendeve të tjera, përfshirë Australinë, Indonezinë dhe Malajzinë, ndërsa të tjerë po qëndrojnë në Afrikën e Jugut për arsye shëndetësore apo ekonomike. Sipas autoriteteve lokale, 130 nga 153 pasagjerë kanë hyrë në vend, ndërsa pjesa tjetër ka udhëtuar menjëherë drejt destinacioneve të tjera.
