??????????
Ish-anëtarja e institucioneve të vettingut, e cila dikur kontrollonte integritetin e gjyqtarëve e prokurorëve, shfaqet sot si avokate e motrës së saj, zëvendëskryeministres Belinda Balluku, në një rast që ngre pikëpyetje serioze mbi konfliktin e interesit dhe ligjshmërinë e veprimit.
Pamela Qirko, dikur pjesë e strukturave të vettingut që garantonin pastrimin e drejtësisë nga ndikimet politike, u shfaq këtë javë në SPAK në rolin e avokates mbrojtëse të motrës së saj, zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Prania e saj, vetëm një ditë pas regjistrimit të NIPT për ushtrimin e profesionit më 30 tetor 2025, ka ngjallur reagime të forta dhe dyshime për shkelje të hapura të ligjit.
Sipas dispozitave që rregullojnë statusin e ish-anëtarëve të institucioneve të vettingut, këta persona nuk mund të ushtrojnë veprimtari që krijon konflikt interesi për një periudhë kohore pas largimit nga detyra, periudhë gjatë së cilës ata vijojnë të paguhen nga shteti për të shmangur çdo përfitim apo ndikim të mundshëm personal. Nëse Qirko përfiton ende nga kjo pagesë, përfshirja e saj në një çështje penale që prek drejtpërdrejt zyrtarë të lartë qeveritarë përbën shkelje të rëndë ligjore dhe etike.
Ironia është e qartë: një ish-vetuese e drejtësisë, që dikur vlerësonte gjyqtarët dhe prokurorët për integritet, sot ndodhet përballë tyre, për të mbrojtur një përfaqësuese të qeverisë. Ky akt, përveç dimensionit simbolik, ngre dyshime për ndikim të drejtpërdrejtë mbi procesin hetimor dhe përpjekje për të ushtruar presion të butë ndaj prokurorëve të SPAK.
Fakti që NIPT i saj është regjistruar vetëm 24 orë para se të paraqitej si avokate në një çështje të profilit të lartë, shton dyshimet se kemi të bëjmë me një veprim të përgatitur paraprakisht dhe jo me një rastësi profesionale. Në çdo sistem të shëndetshëm ligjor, një situatë e tillë do të sillte reagim të menjëhershëm institucional dhe hetim disiplinor.
Në Shqipëri, megjithatë, ku lidhjet familjare dhe politike shpesh ndërthuren me sistemin e drejtësisë, kufijtë midis etikës, ligjit dhe interesit personal duken të zbehta. SPAK ndodhet tashmë përballë një prove të rëndësishme: të tregojë nëse është në gjendje të zbatojë ligjin me të njëjtin standard ndaj të gjithëve edhe kur në krah të të hetuarve shfaqen figura që dikur ishin “roje” të drejtësisë.
Rasti i Pamela Qirkos shkon përtej një përplasjeje familjare apo politike; ai prek vetë besueshmërinë e reformës në drejtësi. Një sistem që dikur vettonte gjyqtarët dhe prokurorët për integritet, sot përballet me provën nëse mund të vettojë veten.
