42-vjeçarja Vanessa Moulton përballet me akuza të shumta për sabotim, ndërsa hetimet zbulojnë se ajo mund të ketë ndërhyrë në sistemet jetike të spitaleve ku një pacient humbi jetën.
Një rast i rrallë sabotimi ka tronditur opinionin publik në Australi, pasi policia ka arrestuar 42-vjeçaren Vanessa Moulton, e cila dyshohet se ka ndërhyrë në linjat e gazit dhe ujit të dy spitaleve në jug të Sidnejt.
Pamje të reja sigurie të publikuara nga televizioni 7NEWS e tregojnë Moultonin teksa ndërhyn në panele zjarrfikëse dhe pajisje mekanike në një ndërtesë tjetër, përpara se të shkonte në spitalet ku ndodhi sabotimi.
Autoritetet australiane po hetojnë nëse veprimet e saj kanë lidhje me vdekjen e një pacienti 72-vjeçar në Spitalin Sutherland, ngjarje që ndodhi vetëm pak orë pas ndërprerjes së gazit mjekësor në ambientet e repartit.
Sipas hetimeve paraprake, Moulton u pa gjithashtu duke ndërhyrë në rrjetin e presionit të ujit dhe gazit në një kompleks banesash në Caringbah, pak para orës 01:00 të mëngjesit. Pak orë më vonë, ajo u arrestua nga policia në rrugën Parkside Avenue në Miranda, për shkelje të kushteve të lirimit me kusht.
42-vjeçarja është akuzuar për një sërë veprash penale, përfshirë sabotim, hyrje të paligjshme në pronë, shkatërrim prone dhe ndërhyrje në sistemet e alarmit të zjarrit. Aktualisht, ajo ndodhet në paraburgim dhe refuzoi ndihmën ligjore gjatë seancës në Gjykatën e Rrethit Sutherland, ku mohoi akuzat duke thënë: “Nuk e kam bërë unë.”
Ndërkohë, autoritetet e Nju Sauth Uellsit kanë nisur një hetim të plotë mbi sigurinë e infrastrukturës spitalore. Kryeministri i shtetit, Chris Minns, deklaroi se rasti do të hetohet deri në fund: “Është një akuzë e tmerrshme. Duhet të sigurojmë që pacientët dhe stafi të jenë të mbrojtur.”
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, furnizimi me gaz dhe ujë u rikthye menjëherë dhe nuk pati dëme të tjera për pacientët, por autoritetet paralajmëruan se sabotimi i tillë mund të kishte pasur pasoja katastrofike.
Vanessa Moulton pritet të dalë sërish para gjykatës më 24 dhjetor, ndërsa hetimet për lidhjen e mundshme midis ndërhyrjeve në rrjetet spitalore dhe vdekjes së pacientit vijojnë.
