
Luftëtarë me harqe dhe shigjeta dalin nga xhungla, reagimi i tyre surprizon studiuesit
Pamje të papublikuara më parë në cilësi të lartë kanë dalë së fundmi nga zemra e Amazonës, duke dokumentuar një nga fiset më të mëdha të izoluara në botë, pa asnjë kontakt të drejtpërdrejtë me civilizimin modern.
Në videon mbresëlënëse, anëtarë të fisit shfaqen duke dalë me kujdes në një plazh, të armatosur me harqe dhe shigjeta, ndërsa vëzhgojnë me dyshim të huajt përballë tyre. Fillimisht tensioni është i dukshëm, teksa luftëtarët pozicionohen në formacion dhe analizojnë çdo lëvizje, të gatshëm për mbrojtje.
Por situata merr një kthesë të papritur. Ndërsa afrohen, disa prej tyre fillojnë të ulin armët, duke lënë harqet në tokë. Tensioni zbehet dhe në fytyrat e tyre shfaqen edhe buzëqeshje, një reagim që ka habitur studiuesit dhe opinionin publik.
Pamjet janë publikuar nga ambientalisti dhe autori amerikan Paul Rosolie, i cili ka kaluar mbi 20 vite duke studiuar Amazonën. Ai e cilëson këtë moment si një nga përjetimet më të thella të jetës së tij, duke theksuar se deri më tani publiku kishte parë vetëm imazhe të turbullta dhe nga distanca, ndërsa kjo video sjell një afërsi të paprecedentë me një botë të padukshme.
Fisi i izoluar Mashco Piro, që shfaqet në video, po përballet gjithnjë e më shumë me rrezikun e kontaktit të pavullnetshëm për shkak të shpyllëzimit dhe aktivitetit intensiv të kompanive të drurit në territoret e tyre. Aktivistët paralajmërojnë se ekspozimi ndaj botës së jashtme mund të sjellë sëmundje, konflikte dhe rrezik zhdukjeje për komunitetin.
Edhe përfaqësues të komuniteteve indigjene fqinje kanë ngritur alarmin, duke theksuar se zgjerimi i rrugëve dhe pajisjeve të rënda po shkel kufijtë tradicionalë të territoreve fisnore.
Videoja ka rihapur debatin global mbi mbrojtjen e fiseve të izoluara dhe përgjegjësinë e njeriut modern për të ruajtur këto komunitete të rralla, që mbijetojnë ende jashtë çdo kontakti me botën bashkëkohore.
