
Brejtësi u zbulua gjatë fluturimit drejt Arubës, mbi 250 pasagjerë mbetën të bllokuar pas anulimit të udhëtimit të kthimit
Një skenë paniku është regjistruar në një fluturim të kompanisë ajrore KLM nga Amsterdami drejt Arubës, kur një mi i madh u pa duke lëvizur lirshëm në kabinën e mbushur me pasagjerë. Ngjarja ndodhi ndërsa avioni Airbus A330 ndodhej mbi Oqeanin Atlantik, duke e bërë të pamundur një ulje emergjente.
Pamjet e publikuara nga pasagjerët tregojnë brejtësin duke vrapuar përgjatë perdeve dhe strukturave të kabinës, ndërsa dëgjohen britma frike. Sipas informacioneve, miu ishte futur fshehurazi në avion përpara nisjes dhe u zbulua vetëm gjatë fluturimit, duke shkaktuar shqetësim të madh mes udhëtarëve.
Për shkak se avioni ndodhej mbi det, ekuipazhi vendosi të vijojë fluturimin deri në Arubë. Pas uljes, kompania anuloi fluturimin e kthimit drejt Amsterdamit, i cili ishte planifikuar të kalonte edhe nga Bonaire, duke lënë më shumë se 250 pasagjerë të bllokuar në ishull.
KLM bëri të ditur se vendimi u mor për arsye sigurie dhe higjiene, pasi avioni duhej t’i nënshtrohej një pastrimi dhe kontrolli të plotë përpara se të rikthehej në shërbim. Gjatë përpjekjeve për kapjen e brejtësit, raportohet se një anëtar i stafit u kafshua në dorë.
Sipas kompanisë ajrore, rasti konsiderohet jashtëzakonisht i rrallë dhe i paprecedentë. Autoritetet nuk kanë arritur të përcaktojnë se si miu u fut në avion, por theksuan se ai nuk iu afrua ushqimit gjatë fluturimit.
Ekspertët paralajmërojnë se brejtësit përbëjnë rrezik serioz në avionë, jo vetëm për higjienën, por edhe për sigurinë teknike, pasi mund të dëmtojnë instalimet elektrike dhe të shkaktojnë defekte apo zjarre.
Kompania njoftoi se pasagjerët e prekur u sistemuan në hotele dhe mund të kërkojnë kompensim. KLM kërkoi ndjesë për shqetësimin e shkaktuar, duke theksuar se siguria e pasagjerëve dhe ekuipazhit mbetet prioritet absolut.
