
Një i ri në gjendje kritike, dy fëmijë të plagosur dhe plazhe të mbyllura, autoritetet paralajmërojnë rrezik të shtuar nga ujërat e turbullta
Një seri sulmesh nga peshkaqenët ka tronditur qytetin e Sydney, pasi brenda më pak se 26 orësh janë raportuar tri incidente të rënda në zona të ndryshme bregdetare, duke shkaktuar panik te pushuesit dhe autoritetet.
Sulmi më i fundit ndodhi mbrëmjen e së hënës rreth orës 18:30 në Manly Beach, ku një i ri u plagos rëndë dhe u trajtua në vendngjarje nga ekipet e emergjencës. Gjendja e tij raportohet kritike, ndërsa paramedikët ndërhynë menjëherë për t’i shpëtuar jetën. Autoritetet nuk kanë konfirmuar ende shkallën e saktë të dëmtimeve.
Më herët gjatë së njëjtës ditë, një djalë 11-vjeçar po bënte surf në plazhin Dee Why Beach, kur një peshkaqen iu afrua dhe goditi dërrasën e tij disa herë, duke e rrëzuar në ujë. Fëmija u shpëtua nga babai i tij dhe një kalimtar, ndërsa dërrasa e dëmtuar është dërguar për analiza për të identifikuar llojin e peshkaqenit, që dyshohet të ketë qenë një peshkaqen dem.
Ngjarja më e rëndë u regjistrua një ditë më parë në Nielsen Park, ku një djalë 12-vjeçar u plagos rëndë në të dyja këmbët gjatë një sulmi teksa ndodhej në ujë me shokët e tij. Ai u transportua me urgjencë drejt Sydney Children’s Hospital dhe ndodhet në gjendje kritike. Policia dhe ekipet mjekësore ndërhynë me mjete tokësore, ujore dhe ajrore, ndërsa shokët e fëmijës u ndihmuan psikologjikisht në vendngjarje.
Pas këtyre incidenteve, autoritetet e Uellsit të Ri Jugor kanë mbyllur disa plazhe për deri në 48 orë dhe u kanë bërë thirrje notarëve dhe surfistëve të qëndrojnë larg zonave të prekura. Sipas zyrtarëve, reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë turbulluar ujërat dhe mund të kenë afruar peshkaqenët pranë bregut.
Hetimet për identifikimin e peshkaqenëve përgjegjës vijojnë, ndërsa prania e shtuar e patrullave detare dhe paralajmërimet për qytetarët pritet të vazhdojnë deri në normalizimin e situatës.
