
Kreu i Kishës Katolike nderon viktimat e shpërthimit të vitit 2020 dhe u bën thirrje libanezëve të kapërcejnë ndarjet politike e sektare.
Papa Leo XIV mbylli vizitën e tij tre-ditore në Liban me një nga gjestet më të forta simbolike: lutjen në vendin e shpërthimit të madh të portit të Bejrutit në vitin 2020, ku humbën jetën mbi 220 persona dhe mijëra të tjerë u plagosën. Kreu i Vatikanit u ndal në memorialin e viktimave, ku mbajti një moment heshtjeje dhe ndezi një dritë në kujtim të tyre.
Gjatë vizitës, Papa u takua me të mbijetuar dhe familjarë të viktimave, duke i bekuar dhe duke u shprehur mbështetje morale në kërkimin e vazhdueshëm për drejtësi. Shumë prej tyre e cilësuan praninë e tij si një akt që u rikthen zërin në një betejë të vonuar kundër pandëshkueshmërisë dhe mungesës së përgjegjësisë politike pesë vjet pas tragjedisë.
Nga sheshi i portit, ku më pas mbajti meshë, Papa Leo u bëri thirrje libanezëve të lënë pas ndarjet etnike dhe politike dhe të ndërtojnë së bashku një vend të bazuar në paqe, drejtësi dhe bashkëjetesë. Rreth 150 mijë besimtarë morën pjesë në ceremoninë e hapur, një numër më i ulët krahasuar me meshën e Papa Benediktit XVI në vitin 2012, që mblodhi rreth 300 mijë njerëz. Rënia e pjesëmarrjes reflekton emigrimin masiv të viteve të fundit si pasojë e krizave të rënda ekonomike, politike dhe sektare që kanë goditur vendin.
Gjatë qëndrimit në Liban, Papa Leo theksoi nevojën urgjente për zbardhjen e të vërtetës për shpërthimin e portit, duke kërkuar që drejtësia të mos vonohet më. Ai theksoi se rindërtimi i besimit midis qytetarëve është i pandarë nga zbardhja e përgjegjësive.
Vizita në Liban ishte ndalesa e dytë e udhëtimit të tij ndërkombëtar, pas Turqisë, ku ai përsëriti thirrjen globale për paqe në Lindjen e Mesme dhe paralajmëroi se konfliktet e përgjakshme po rrezikojnë vetë të ardhmen e njerëzimit.
