
Ati i Shenjtë kërkon ndalje të luftimeve në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme dhe shpreh zhgënjim për ligjin e vetëvrasjes së asistuar në Illinois
Papa Leo XIV u është drejtuar besimtarëve dhe opinionit publik botëror me një mesazh të fortë për paqe, duke kërkuar që me rastin e Krishtlindjeve të respektohet të paktën një ditë e plotë paqeje në të gjithë globin. Ai u bëri thirrje të gjithë njerëzve vullnetmirë që, në festën e lindjes së Shpëtimtarit, të ndalet dhuna dhe të mbizotërojë qetësia, qoftë edhe për 24 orë.
Gjatë një takimi me gazetarë nga media të ndryshme ndërkombëtare, Papa u ndal te konfliktet më të nxehta aktuale, duke përmendur veçanërisht Ukrainën dhe Lindjen e Mesme. Duke folur për Ukrainën, ai shprehu trishtim të thellë për faktin se, sipas tij, Rusia ka refuzuar kërkesën për një armëpushim gjatë Krishtlindjeve, në një kohë kur sulmet kanë prekur disa rajone. Ati i Shenjtë përsëriti shpresën se palët ndërluftuese mund ta dëgjojnë këtë thirrje dhe të mundësojnë një ditë të plotë paqeje në mbarë botën.
Në lidhje me Lindjen e Mesme, Papa Leo XIV u shpreh se shpreson që procesi i paqes të ecë përpara, ndërsa kujtoi vizitën e fundit të Patriarkut Latin të Jerusalemit në Gaza dhe përpjekjet e komuniteteve të krishtera për të festuar Krishtlindjet mes pasigurive të luftës. Ai theksoi rëndësinë e vazhdimit të marrëveshjeve për armëpushim dhe nevojën për stabilitet e siguri për civilët.
Papa ndali vëmendjen edhe te Shtetet e Bashkuara, duke shprehur zhgënjimin e tij për miratimin në shtetin e Illinois të ligjit që lejon vetëvrasjen e asistuar për personat me sëmundje terminale. Ai bëri të ditur se këtë shqetësim ia kishte shprehur drejtpërdrejt guvernatorit të Illinois gjatë një audience në Vatikan, duke theksuar se Kisha mbron shenjtërinë e jetës nga fillimi deri në fund të saj natyror.
Në përfundim, Papa Leo XIV ftoi besimtarët dhe shoqërinë në tërësi që gjatë Krishtlindjeve të reflektojnë mbi vlerën dhe kuptimin e jetës njerëzore, duke shprehur shpresën që respekti për jetën të forcohet në çdo fazë të ekzistencës njerëzore, nga ngjizja deri në vdekjen natyrore.
