
Mes lutjes për paqe dhe drejtësi, ceremonia solemne shënon fundin e një riti shekullor në Vatikan
Papa Leone XIV ka mbyllur këtë të martë Portën e Shenjtë në Bazilikën e Shën Pjetrit, duke shpallur zyrtarisht përfundimin e Jubileut të Shpresës, një nga momentet më të rëndësishme shpirtërore të Kishës Katolike. Ceremonia u zhvillua në një atmosferë të thellë solemniteti, e shoqëruar nga lutje dhe thirrje për drejtësi dhe paqe në botë.
Ndërsa kori i Kapelës Sistine këndonte himnin e lashtë O clavis David, Ati i Shenjtë iu afrua Portës së Shenjtë, u gjunjëzua dhe qëndroi për disa minuta në heshtje. Pas kësaj, ai u ngrit, rregulloi veshjet liturgjike dhe me një gjest të vendosur mbylli dyert prej bronzi, ndërsa nga brenda u dëgjuan zhurmat simbolike të çelësave. Me këtë rit, i cili përsëritet prej shekujsh, u vulos edhe fundi zyrtar i Jubileut.
Në sheshin dhe brendësinë e Bazilikës së Shën Pjetrit ishin të pranishëm mijëra besimtarë, ndërsa shumë të tjerë ndoqën ceremoninë nga jashtë për shkak të kapacitetit të kufizuar. Në rreshtin e parë, pranë Portës së Shenjtë, ndodhej edhe presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, i cili u prit nga kardinali Pietro Parolin dhe u ul pranë monsinjor Gallagher, ministrit të jashtëm të Vatikanit.
Porta e Shenjtë, e mbyllur sot nga Papa Leone XIV, është vepër monumentale e skulptorit Vico Consorti dhe u realizua me porosi të Fabrikës së Shën Pjetrit në vitin 1950, gjatë Jubileut të hapur nga Papa Piu XII. Dy kanatet prej bronzi përmbajnë gjashtëmbëdhjetë panele në basoreliev, të cilat rrëfejnë historinë e shpëtimit, nga mëkati fillestar, te jeta, mrekullitë, vdekja dhe ringjallja e Krishtit, deri te shëlbimi universal.
Ceremonia e sotme shënon jo vetëm mbylljen e një Jubileu, por edhe hapjen e një etape të re për Kishën Katolike, në prag të konsistorit të parë që Papa Leone XIV do të mbajë në Vatikan, ku priten vendime të rëndësishme për drejtimin e ardhshëm të Kishës.
