
Klodian Muço thotë se amnistia e detyrimeve favorizon kompanitë me borxhe shumëvjeçare, shumica të falimentuara, ndërsa bizneset e vogla ndëshkohen brenda pak muajsh për çdo detyrim tatimor
Eksperti i ekonomisë, Klodian Muço, ka kritikuar nismën e qeverisë për paqen fiskale, duke e cilësuar si një mekanizëm që u jep përfitime kryesisht bizneseve të mëdha me detyrime të akumuluara ndër vite ndaj shtetit. Ai nënvizoi se rreth 63–64% e borxheve tatimore të falura janë krijuar para vitit 2014, kryesisht nga kompani që sot janë të falimentuara ose të pambledhshme nga administrata tatimore.
Muço theksoi se ndryshe nga bizneset e mëdha, subjektet e vogla penalizohen brenda tre muajsh nëse kanë detyrime të papaguara, duke iu bllokuar llogaritë ose aktiviteti. Sipas tij, kjo krijon konkurrencë të padrejtë dhe favorizon pikërisht ata që për vite kanë shmangur pagesat ndaj shtetit.
Eksperti shpjegoi se paqja fiskale përbëhet nga dy faza: falja e detyrimeve mbi 10 vite dhe rishikimi i bilanceve për pesë vitet e fundit vetëm për kompanitë me xhiro të lartë. Sipas tij, ky proces mund të përdoret për të legalizuar eluzionin dhe evazionin fiskal, duke krijuar hapësirë që bizneset e mëdha të rishkruajnë bilancet e viteve të fundit me kosto minimale.
Muço kujtoi se falje të ngjashme tatimore janë bërë pothuajse çdo herë para zgjedhjeve, duke përmendur amnistitë e viteve 2009, 2011, 2014, 2019 dhe më të fundit atë të vitit 2025. Ai thekson se modeli përsëritet ndaj shtrohet pyetja nëse qëllimi është mbështetja e sistemit apo lëshime klienteliste.
Sipas tij, bankat ndjekin të njëjtën logjikë kur fshijnë kreditë e pambledhshme për të pastruar bilancet, por kjo praktikë nuk është e drejtë në raport me tatimet, pasi krijon avantazh për subjektet e mëdha dhe demotivon korrektësinë fiskale të bizneseve të vogla. Ndërkohë, rishikimi i bilanceve për kompanitë me xhiro mbi 18 milionë lekë hap dyshime se mund të përdoret për të rivendosur bilance në favor të kompanive me shkelje.
Eksperti paralajmëron se nisma mund të kthehet në një legalizim të shmangies tatimore, duke rritur pabarazinë dhe duke goditur sipërmarrjet që kanë qenë korrekt me detyrimet e tyre.
