

Ndërsa Shtetet e Bashkuara mbështesin një plan të ri për Gazën, kryeministri izraelit ndërthur lavdërimet për Donald Trump me vullnetin e tij për të vazhduar ofensivën ushtarake.
Salla e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ishte pothuajse bosh, pasi shumica e delegacioneve kombëtare kishin braktisur vendet. Në tribuna, rreshtat ishin mbushur me të ftuar të kryeministrit, siç e pranuan edhe vetë autoritetet izraelite. Në të vërtetë, fjalimi i Benyamin Netanyahut të premten kishte vetëm një destinacion: Donald Trump, të cilin ai e përmendi vazhdimisht duke e lavdëruar deri në atë pikë sa të kërkonte nga komuniteti ndërkombëtar që të ndjekë udhëheqjen e tij. Takimi mes Netanyahut dhe presidentit amerikan është parashikuar për të hënën e ardhshme, por kreu i qeverisë izraelite i parapriu takimit me një mesazh të qartë para botës.
Netanjahu u shfaq me stilin e spektakleve televizive: një kod QR në xhaketë që të çonte në pamjet e 7 tetorit; fraza të shkurtra, batuta, karikatura, shpërthime duartrokitjesh, citime biblike dhe madje një kuiz i zgjidhur në kohë reale. Në New York, një ditë më parë, dhjetëra automjete publicitare kishin mbushur Times Square për t’ua kujtuar kalimtarëve ngjarjet e 7 tetorit.
Në Gaza, fjalimi i tij u transmetua përmes altoparlantëve gjigantë të vendosur mbi automjete ushtarake, që e përhapnin mesazhin tek popullsia dhe ndoshta, edhe tek pengjet izraelite.
Përballë akuzave në rritje nga disa shtete dhe nga vetë instancat e OKB, se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza, Netanjahu reagoi me përbuzje: “Është një shaka!”, -tha ai, duke justifikuar luftën, jo vetëm kundër Palestinës, por edhe duke përmendur gjashtë shtete të tjera të rajonit si objektiva.