
Evropa rreshtohet hapur me Danimarkën kundër pretendimeve të Uashingtonit
Tensionet rreth Groenlandës janë rindezur pas sinjaleve të forta politike nga Uashingtoni, ku Shtëpia e Bardhë e ka cilësuar marrjen e ishullit si prioritet të sigurisë kombëtare dhe ka lënë të hapur edhe opsionin e përdorimit të ushtrisë.
Në këtë klimë, Ministria e Jashtme franceze ka dhënë një mesazh qetësues. Ministri Jean-Noël Barrot bëri të ditur se ka folur në telefon me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe se ky i fundit e ka përjashtuar idenë e një ndërhyrjeje ushtarake në Groenlandë, duke theksuar se kjo nuk është qasja që po ndiqet nga SHBA.
Megjithatë, debati është ndezur nga deklaratat e fundit të zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e cila ka pohuar se administrata po diskuton disa opsione për Groenlandën dhe se përdorimi i ushtrisë mbetet në tavolinë si mundësi.
Në anën tjetër, Evropa ka reaguar me një linjë të bashkuar. Sipas raportimeve, udhëheqës të disa vendeve europiane kanë firmosur një deklaratë të përbashkët ku theksojnë se vendimmarrja për Groenlandën i takon vetëm Danimarkës dhe Groenlandës, duke e konsideruar sovranitetin të panegociueshëm.
Edhe zërat në Paris kanë kërkuar një zgjim strategjik të kontinentit përballë një bote më të ashpër, duke këmbëngulur se Groenlanda është pjesë e sovranitetit europian dhe e NATO-s, ndaj nuk mund të trajtohet si objekt presioni.
Ndërkohë, Danimarka dhe Groenlanda kanë vijuar të përsërisin se ishulli nuk është në shitje dhe se çdo diskutim duhet të kalojë përmes dialogut diplomatik, në një moment kur përplasjet verbale rrezikojnë të godasin vetë themelet e aleancës transatlantike.
