
Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme miraton ashpërsimin e masave, parkimi dysh kthehet në vepër penale, rritet mbrojtja për gazetarët dhe forcohet kontrolli i armëve
Ndryshime të rëndësishme janë miratuar në Kodin Penal, të cilat prekin drejtpërdrejt sjelljen e qytetarëve në rrugë, sigurinë publike dhe mbrojtjen e gazetarëve. Në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme, i zhvilluar pa praninë e deputetëve të opozitës që ndodheshin në terren për përgatitjet e protestës së së shtunës, u diskutua dhe u miratua paketa e re e ndryshimeve ligjore.
Sipas vendimit, parkimi i automjeteve në rresht të dytë, i cili deri më tani ndëshkohej vetëm me gjobë administrative, tashmë klasifikohet si vepër penale dhe mund të çojë në dënim me burg. Relatori i ndryshimeve, deputeti socialist Ervin Hoxha, argumentoi se ashpërsimi i Kodit Penal synon rritjen e sigurisë rrugore dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve.
