
Ndërsa Gjykata Kushtetuese vendosi të pezullojë dekretin e presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet e Tiranës, duke lënë qytetarët pa një datë fikse për votimet, fushata duket se ka nisur më herët se kalendari. Kandidatët kanë dalë rrugëve për të “dëgjuar hallet” e qytetarëve, një sport që duket se luhet më mirë sa herë afrojnë zgjedhjet.
Në krye të këtij turneu të dëgjimit, Ogerta Manastirliu, përfaqësuesja e “mavive”, është parë me një bllok e një stilolaps në dorë, gati për të shënuar çdo hall, shqetësim e ankth të “Tironsve”. Me slloganin e pashpallur “Me bllok e penë për Mëmëdhenë”, ish-ministrja duket se ka marrë seriozisht misionin për të mësuar se çfarë nuk funksionon në një qytet që partia e saj e qeveris prej më shumë se një dekade.
Ironia është se pas 12 vitesh pushtet, duket sikur hallet e qytetarëve janë një enigmë e re, që vetëm blloku i Ogertës mund ta zbardhë. Ndoshta për këtë arsye ajo pyet qytetarët për ato që Lali Eri nuk arriti t’i zgjidhte dot, para se ta përfundonte mandatin mes prangave që ju vendosën në zyrën e tij.
Duhet thënë se lapsi dhe fletorja mbeten thjeshtë një dekor, pasi hallet dihen, janë të qarta e s’ka letër që mund t’i përmbledhë. Me siguri Ogerta u ka premtuar njerëzve që takoi se hallet do t’ua zgjidhë sapo të ulet në kolltukun e kryetarit, e do të rregullojë kështu të gjitha gabimet e kolegut të saj paraardhës nga e njëjta parti.
E gjitha kjo nëse blloku i Ogertës nuk zhduket pas mbylljes së kutive!/JOQ