
Pas plot 23 ditësh grevë urie në sheshin Sintagma të Athinës, shqiptari Pano Ruci ka vendosur ta ndërpresë protestën e tij ekstreme, pasi autoritetet greke kanë pranuar të gjitha kërkesat e tij për zhvarrosjen dhe ekzaminimin e trupit të djalit të ndjerë, Denis Ruci, viktimë e tragjedisë hekurudhore të Tempes.
Ruci kishte kërkuar transparencë të plotë në analizat toksikologjike dhe në ekzaminimet e tjera mjeko-ligjore, duke akuzuar institucionet për vonesa dhe mungesë sinqeriteti në hetim. “Këto 23 ditë i kam përjetuar me dhimbje e lodhje, por mbështetja e njerëzve më dha forcë të mos dorëzohem,” deklaroi ai.Avokatja e tij, Zoi Konstantopulu, e cilësoi momentin si “fitore të dritës mbi errësirën”, duke theksuar se “mekanizmat që tentuan të groposnin të vërtetën u mposhtën”.
Sipas saj, dosja me 3 mijë faqe, që dokumenton neglizhencat e institucioneve përgjegjëse në tragjedinë e Tempes, është rikthyer në qarkullim falë këmbënguljes dhe guximit të Panos Rucit, që me sakrificën e tij u bë zëri i prindërve që kërkojnë drejtësi për fëmijët e humbur.