
Zyrtari i lartë i BE largohet nga detyrat pas përfshirjes në hetimin për keqpërdorim fondesh, ndërsa Brukseli përballet me tronditjen më të madhe institucionale të viteve të fundit
Stefano Sannino, një nga figurat më të rëndësishme të shërbimit diplomatik të Bashkimit Evropian, ka njoftuar tërheqjen e menjëhershme nga posti i tij si Drejtor i Përgjithshëm për Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Gjirin, vetëm pak orë pasi u mor në pyetje në kuadër të hetimit për keqpërdorim të fondeve të BE-së. Vendimi vjen pas arrestimit të tij së bashku me Federica Mogherinin, një ngjarje që ka tronditur thellë institucionet evropiane.
Në një mesazh të brendshëm drejtuar stafit, Sannino konfirmoi se autoritetet e kishin pyetur për një projekt të zhvilluar gjatë mandatit të tij si Sekretar i Përgjithshëm i EEAS, ndërsa theksoi se beson në drejtësinë e hetuesve dhe se pret që çështja të sqarohet. Ai u lirua të martën vonë, pasi u identifikua si i dyshuar në hetimin që po zgjerohet me ritme të shpejta në Bruksel.
Sannino u shpreh se, për të mos dëmtuar punën e Drejtorisë së Përgjithshme, nuk e konsideron më të udhës të vazhdojë në detyrë dhe se do të dalë në pension në fund të dhjetorit. Sipas emailit të shpërndarë brenda institucionit, Michael Karnitschnig, zëvendësdrejtor i përgjithshëm, ka marrë tashmë drejtimin në detyrë.
Ky largim shënon dorëheqjen e parë të nivelit të lartë të lidhur me hetimin, i cili përfshin bastisje në EEAS dhe në Kolegjin e Evropës. Skandali pritet të ketë pasoja të tjera në nivelet e larta të diplomacisë evropiane, ndërsa organet hetimore vazhdojnë të analizojnë dokumentacionin e sekuestruar dhe komunikimet e zyrtarëve të përfshirë.
