Policia e Shkodrës ka ndaluar Ardian Kastratin, i dënuar nga Gjykata e Posaçme për prodhim dhe shitje narkotikësh në kuadër të një grupi kriminal.
Një 56-vjeçar i shpallur në kërkim prej kohësh është arrestuar nga Policia e Shkodrës, pas një operacioni të zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve.
Bëhet fjalë për shtetasin Ardian Kastrati, banues në fshatin Kçar i Poshtëm, i cili ishte dënuar nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me 7 vite e 4 muaj burgim, për veprat penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.
Kastrati kishte arritur të shmangte arrestimin për një periudhë kohe, por u lokalizua dhe u ndalua nga forcat e rendit pas një ndjekjeje të koordinuar me Prokurorinë e Posaçme. Nga dënimi i dhënë, 56-vjeçarit i kanë mbetur edhe 2 vite, 7 muaj e 18 ditë për të vuajtur në burg.
Policia ka njoftuar se arrestimi i tij është pjesë e veprimeve të vazhdueshme për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore ndaj personave të dënuar për krime të rënda dhe për goditjen e rrjeteve kriminale të përfshira në trafikun e drogës.
