
Kontrolli për formularin e vetëdeklarimit përfundon pas hetimeve brenda dhe jashtë vendit, vendimmarrja i takon Këshillit të Lartë Gjyqësor
Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar procesin e verifikimit ndaj gjytares së Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Irena Gjoka, në lidhje me deklarimet e saj në Formularin e Vetëdeklarimit të datës 22 prill 2016.
Procesi i verifikimit ishte regjistruar më 8 maj 2024 në Sektorin e Dekriminalizimit të Prokurorisë dhe nisi pas një kërkese zyrtare të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës pranë Këshilli i Lartë Gjyqësor. Shkak për këtë procedurë u bënë pretendimet se gjyqtarja kishte fshehur probleme nga e kaluara e saj në Greqi.
Pretendimet ishin ngritur publikisht nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili kishte deklaruar se Gjoka ishte dënuar nga autoritetet greke dhe nuk e kishte pasqyruar këtë fakt në formularin e vetëdeklarimit. Mes rasteve të përmendura ishte edhe një incident i dhjetorit 2002 në pikën kufitare të Kakavijës, ku ajo dyshohej se ishte ndaluar me dokumente udhëtimi të falsifikuara.
Sipas njoftimit zyrtar, pas kryerjes së të gjitha verifikimeve të nevojshme, si brenda vendit ashtu edhe në bashkëpunim me autoritetet e huaja, Prokuroria ka miratuar rezultatet përfundimtare dhe ia ka përcjellë ato Këshillit të Lartë Gjyqësor. Ky institucion është përgjegjës për vlerësimin e kushteve të ndalimit apo papajtueshmërisë, në bazë të ligjit nr.138/2015 dhe vendimit të Kuvendit nr.17/2016.
Irena Gjoka është një nga gjyqtaret që ka shqyrtuar çështje me ndjeshmëri të lartë publike, ku janë përfshirë politikanë, zyrtarë të lartë dhe figura të krimit të organizuar, çka e ka bërë këtë proces verifikimi një çështje me interes të veçantë publik.
