
Pas grabitjes spektakolare të bizhuterive në Galerinë e Apolonit, raporti i Këshillit të Llogarive ngre alarmin për neglizhencat në instalimet e sigurisë së muzeut më të famshëm në botë
Një raport i papublikuar ende nga Cour des Comptes (Këshilli i Llogarive i Francës) ka vënë në qendër të kritikave drejtimin e Muzeut të Luvrit dhe autoritetet shtetërore franceze, duke zbuluar vonesa të mëdha në modernizimin e pajisjeve të sigurisë së institucionit.
Ky dokument, i cili pritej të publikohej në dhjetor, ka dalë në dritë vetëm pak orë pas grabitjes spektakolare të së dielës, më 19 tetor, në Galerinë e Apolonit, incident që ka tronditur opinionin publik dhe imazhin e muzeut më të vizituar në botë.
Sipas raportit, Luvri vuan nga një mungesë e vazhdueshme e pajisjeve të përditësuara të sigurisë, përfshirë kamerat e vëzhgimit dhe sistemet e alarmit, të cilat janë vendosur vetëm pjesërisht dhe në mënyrë të ngadaltë. “Ka një vonesë të qëndrueshme në zbatimin e planit të modernizimit të pajisjeve të sigurisë. Instalimi i kamerave është bërë vetëm në kuadër të disa rikonstruksioneve të sallave,” thuhet në raportin e Këshillit të Llogarive.
Në disa hapësira si Salla Napoléon, mbulimi me kamera është 100 %, ndërsa në pjesën tjetër të muzeut, veçanërisht në sektorët e trashëgimisë historike si Galeria e Apolonit, vetëm 60 % e zonave janë të mbrojtura plotësisht.
Ky zbulim vjen në një moment kritik, kur hetimet për grabitjen e fundit po përqendrohen pikërisht në dështimet teknike të sistemit të alarmit dhe mungesën e reagimit të menjëhershëm të rojeve. Ngjarja ka ringjallur debatin publik mbi sigurinë e monumenteve kombëtare franceze dhe përgjegjësinë e autoriteteve për ruajtjen e pasurive kulturore të jashtëzakonshme që strehohen në Luvër.
Grabitja e 19 tetorit, ku tre persona të maskuar vodhën disa bizhuteri të çmuara nga koleksioni i Napoleonit dhe Perandoreshës Eugénie, ka ekspozuar mangësitë e thella në menaxhimin e një prej institucioneve më të rëndësishme kulturore në botë dhe tani, raporti i Këshillit të Llogarive i jep kësaj krize një dimension politik dhe administrativ që pritet të ketë pasoja të gjera.