
Jake Paul publikon pamje nga avioni privat pas daljes nga spitali dhe ndez debat në rrjetet sociale
Boksieri amerikan dhe YouTuber-i i njohur Jake Paul ka rikthyer vëmendjen mbi veten menjëherë pas humbjes së rëndë në ring ndaj Anthony Joshua, duke publikuar në rrjetet sociale pamje që shfaqin stilin e tij luksoz të jetesës.
Paul u mposht me nokaut në raundin e pestë të përballjes së zhvilluar të premten mbrëma, ku Joshua dominoi ndeshjen me një seri goditjesh vendimtare, duke e mbyllur duelin në mënyrë spektakolare. Pas ndeshjes, YouTuberi u shtrua në spital, ku u diagnostikua me thyerje të nofullës.
Menjëherë pas daljes nga spitali, Paul publikoi një postim kontrovers, ku shihet në një avion privat, i rrethuar nga tufa parash dhe sende luksi, duke përcjellë një mesazh motivues për ndjekësit e tij. Postimi u interpretua nga shumëkush si një mënyrë për të treguar se humbja në ring nuk e ka lëkundur aspak nga jeta e shtrenjtë që bën jashtë tij.
Reagimet në rrjetet sociale ishin të shumta dhe të ndara. Një pjesë e fansave e përgëzuan për mënyrën se si u rikthye pas humbjes, ndërsa të tjerë e kritikuan për arrogancë dhe mungesë modestie pas një disfate të tillë.
Me këtë fitore, Joshua përmirësoi rekordin e tij në 29 fitore dhe katër humbje, ndërsa bilanci i Paul mbetet në 12 fitore dhe dy humbje. Sipas raportimeve, të dy sportistët përfituan shuma të mëdha financiare nga kjo përballje, rreth 78 milionë euro bruto secili, duke e kthyer ndeshjen në një nga eventet më fitimprurëse të vitit.
