
Dragan Stojković largohet pas disfatës që tronditi futbollin serb, duke e quajtur rezultatin ndaj Shqipërisë të papranueshëm dhe duke thënë se është gati të marrë pasojat.
Pas disfatës historike të Serbisë ndaj Shqipërisë në Leskovac, trajneri i kombëtares serbe, Dragan Stojković “Pixi”, ka njoftuar dorëheqjen e tij nga drejtimi i ekipit, duke e quajtur rezultatin të papranueshëm.
Në një deklaratë pas ndeshjes për televizionin publik serb RTS, ai tha se kishte biseduar me presidentin dhe sekretarin e përgjithshëm të Federatës së Futbollit të Serbisë, duke ofruar dorëheqjen e tij. “Marr përgjegjësi të plotë. Nuk do të udhëtoj për në Andorra dhe nuk do të drejtoj ekipin. Besoj se ndihmësi im, Goran Gjoroviç, do të jetë në stol,” deklaroi ai.
Stojković pranoi se ndeshja me Shqipërinë ishte një nga humbjet më të rënda të karrierës së tij. “Rezultati është i keq, nuk e prisja këtë. Nuk është tragjedi kur një trajner largohet, por kjo humbje nuk duhej të kishte ndodhur. Serbia do të ketë gjithmonë një tifoz te unë,” u shpreh ai me tonë të matura.
Trajneri serb shtoi se skuadra e tij dështoi të shfrytëzonte rastet në pjesën e parë dhe se përgjegjësia për këtë i takon atij. “Ne donim të shënonim, por gjithçka që provuam nuk dha rezultat. Unë jam përgjegjës për këtë. Kam punuar nën presion për një kohë të gjatë dhe e pranoj që tani erdhi momenti të largohem,” shtoi ai.
Nën drejtimin e Stojković, Serbia kishte arritur mbi 50 paraqitje zyrtare, duke përfshirë edhe kualifikime të rëndësishme, por disfata ndaj Shqipërisë u bë pika e kthesës. Kombëtarja serbe do të udhëtojë të martën në transfertë ndaj Andorrës, tashmë pa trajnerin e saj kryesor, ndërsa federata pritet të emërojë përkohësisht Gjoroviçin në krye të ekipit.