
Ndërhyrja ushtarake amerikane vë në pikëpyetje interesat strategjike dhe financiare të Kinës në Amerikën Latine
Pas kapjes së ish-presidentit të Venezuelës Nicolás Maduro nga forcat amerikane në kuadër të operacionit Absolute Resolve, në pikëpyetje janë vënë interesat financiare të Kinës në këtë vend, që sipas të dhënave ndërkombëtare kapin vlerën e mbi 100 miliardë dollarëve në kredi dhe ndihma financiare.
Reagimi i Pekinit ka qenë i menjëhershëm dhe i ashpër. Ministria e Jashtme kineze e ka dënuar ndërhyrjen amerikane duke e cilësuar si akt hegjemonik që shkel rëndë të drejtën ndërkombëtare dhe sovranitetin e Venezuelës, duke kërkuar nga Shtetet e Bashkuara respektimin e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe ndalimin e ndërhyrjeve në punët e brendshme të shteteve të tjera.
Vetëm pak orë para goditjeve amerikane, përfaqësuesi special i Kinës për Amerikën Latine, Qiu Xiaoqi, kishte zhvilluar një takim me Maduro, çka nënvizon rëndësinë strategjike që Karakasi ka për Pekinin. Venezuela ka qenë për vite me radhë një shtyllë kyçe e zgjerimit të ndikimit kinez në rajon, veçanërisht në sektorin energjetik.
Marrëdhëniet mes dy vendeve u konsoliduan që në vitin 2006, gjatë presidencës së Hugo Chávez, kur Kina u konsiderua nga Karakasi si një kundërpeshë ndaj ndikimit amerikan. Në kuadër të këtyre marrëveshjeve, Venezuela u angazhua të furnizonte Kinën me deri në një milion fuçi naftë në ditë, ndërsa Pekini ofroi mbështetje politike dhe financiare.
Modeli i bashkëpunimit u shndërrua shpejt në një marrëdhënie të thellë financiare, me kredi të mëdha të garantuara përmes dërgesave të ardhshme të naftës. Vetëm ndërmjet viteve 2006 dhe 2010, Kina akordoi dhjetëra miliarda dollarë kredi, përfshirë fonde të përbashkëta me kompaninë shtetërore venezueliane të naftës PDVSA. Edhe pas përkeqësimit të situatës ekonomike në Venezuelë dhe rënies së çmimeve globale të naftës, Pekini vijoi mbështetjen financiare, duke ristrukturuar borxhe dhe lehtësuar kushtet e shlyerjes.
Që prej vitit 2016, Kina ka ndalur dhënien e kredive të reja për Venezuelën, duke u fokusuar kryesisht në menaxhimin dhe rikuperimin e borxheve ekzistuese. Megjithatë, Venezuela mbetet një nga debitorët më të mëdhenj të Kinës në botë, çka e bën çdo ndryshim politik në Karakas një rrezik të drejtpërdrejtë për interesat financiare të Pekinit.
Kapja e Nicolás Maduro dhe pasiguria mbi drejtimin e ardhshëm të vendit ngrenë pikëpyetje serioze mbi fatin e këtyre miliarda dollarëve, duke e kthyer Venezuelën jo vetëm në një krizë politike ndërkombëtare, por edhe në një nyje të ndjeshme të përplasjes ekonomike dhe gjeopolitike mes Kina dhe Shtetet e Bashkuara.
