
Babai ynë ishte në gjendje të rënduar emocionale, kërkojmë mirëkuptim
Pas deklaratës që tronditi opinionin publik: “Kush dënon nipin tim, do të përballet me plumba”, ka ardhur reagimi i familjes së Gjovalin Shkambit, xhaxhait të Elvis Shkambit, i akuzuar për vrasjen e gjykatësit Elvis Pupa.
Në një deklaratë për media, familjarët shprehen se distancohen nga çdo gjuhë urrejtjeje apo kërcënim, duke theksuar se Gjovalin Shkambi ishte në një gjendje të rënduar emocionale dhe psikologjike në momentin kur u bë deklarata.
“Ne si familje kërkojmë mirëkuptim për situatën e rëndë emocionale në të cilën ndodhej babai ynë. Kjo nuk justifikohet, por kërkojmë të kuptohet gjendja e tij. Nuk duam të përdoret gjuha e urrejtjes ndaj askujt që ushtron detyrën e vet. Respektojmë drejtësinë dhe procesin ligjor,” thuhet në reagimin e familjes.
Kërkesë për media dhe publikun: “Mos na gjykoni, lëreni drejtësinë të flasë”
Familja Shkambi u bën thirrje mediave që të shmangin publikimin e detajeve të jetës private dhe të tregojnë kujdes ndaj mënyrës si trajtohet kjo çështje. “Kërkojmë që të shmanget sa më shumë përfshirja në jetën tonë familjare. Babai ynë u filmua dhe u publikua në një moment të vështirë, kur ishte nën presion të madh psikologjik,” thuhet më tej në deklaratë.
Në fund, familja shpreh keqardhje për tensionet që kanë shoqëruar ngjarjen dhe apelon për qetësi: “Urojmë që gjithçka të qetësohet dhe Zoti të bëjë atë që është më e mira për të gjithë.”
Kjo deklaratë vjen pasi autoritetet konfirmuan se nuk është bërë ende asnjë arrestim lidhur me kërcënimin ndaj trupës gjykuese, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse deklarata e Gjovalin Shkambit përbën kërcënim penal apo shpërthim emocional i momentit.