

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u ndal përkohësisht nga policia e Nju Jorkut për t’i hapur rrugë kortezhit të presidentit amerikan Donald Trump, pranë selisë së OKB-së. Udhëheqësi turk u duk dukshëm i irrituar, vetëm disa ditë pasi presidenti francez Emmanuel Macron përjetoi një situatë të ngjashme.
Sipas pamjeve filmike, Erdogan dhe ekipi i tij i sigurisë mbetën të bllokuar nga policia, ndërsa po largoheshin nga selia e Kombeve të Bashkuara, ku ai po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Oficerët ndaluan kalimin e tij derisa të kalonte kortezhi i Trumpit.
Ky nuk është rasti i parë që një udhëheqës botëror përballet me një situatë të tillë gjatë mbledhjes së nivelit të lartë në Nju Jork. Vetëm pak ditë më parë, edhe presidenti francez Emmanuel Macron u ndal nga policia për të liruar rrugën për një kortezh tjetër.
Ngjarja ndodhi pranë misionit diplomatik francez, ku Macron, në vend që të priste i qetë, telefonoi direkt Trumpin dhe me humor i tha: “Mendo pak, po pres në rrugë sepse gjithçka është bllokuar për ty.”
Pamjet e momentit bënë xhiron e rrjeteve sociale, ku shihej policia duke kërkuar ndjesë, por duke mos e lejuar Macronin të kalonte, derisa kortezhi i Trump të kishte kaluar.
Incidenti ndodhi vetëm pak kohë pasi Franca shpalli njohjen e shtetit palestinez, një vendim që Trump e quajti shpërblim për Hamasin. Dy liderët shkëmbyen replika për çështjen e Gazës, megjithatë Trump e quajti Macronin një mik të hershëm dhe vlerësoi rolin e tij në luftën e Ukrainës.