
Protesta e transportuesve në Maqedoninë e Veriut paralizon qarkullimin e mjeteve të tonazhit të rëndë në hyrje dhe dalje nga vendi, përjashtohen vetëm medikamentet dhe bagëtitë
Pas protestës së kamionistëve në Malin e Zi, një situatë e ngjashme pritet të zhvillohet edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke sjellë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mallrave në pikat kufitare që lidhin këtë shtet me Shqipërinë.
Sipas njoftimeve zyrtare, duke nisur nga ora 00:01 e datës 26 janar 2026, do të ndalohet hyrja e mjeteve transportuese të mallrave në territorin e Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë, nga ora 12:00 e po asaj date, bllokimi do të shtrihet edhe në daljen e mjeteve nga territori maqedonas.
Autoritetet sqarojnë se kufizimi vjen si pasojë e një proteste të organizuar nga një shoqatë e transportit të mallrave, e cila pritet të zgjasë disa orë dhe të ndikojë drejtpërdrejt në qarkullimin ndërkufitar të kamionëve.
Nga ndalimi do të përjashtohen vetëm mjetet e tonazhit të rëndë që transportojnë medikamente mjekësore ose bagëti, të cilat do të lejohen të kalojnë normalisht në pikat kufitare. Po ashtu, lëvizja e automjeteve të udhëtarëve dhe e transportit të pasagjerëve nuk do të preket dhe do të vijojë pa kufizime.
Autoritetet u bëjnë thirrje subjekteve të transportit, bizneseve dhe qytetarëve që të informohen në kohë dhe të planifikojnë lëvizjet e tyre, me qëllim shmangien e vonesave dhe problematikave gjatë periudhës së bllokimit.
