
Qeveria Rama ka prezantuar një projekt të ri për rijetëzimin e kullave–shtëpi në rajonet e Lezhës, Shkodrës, Dibrës dhe Kukësit. Sipas Ministrisë së Turizmit, iniciativa është hartuar në bashkëpunim me GIZ-in gjerman dhe synon të nxisë zhvillimin ekonomik, kulturor dhe turistik të zonave veriore.
Megjithatë, për shumë banorë dhe ekspertë, ky projekt vjen në një moment paradoksal. Vetëm pak muaj më parë, qeveria ndërhyri me fadroma në Theth dhe Valbonë, ku u shembën dhjetëra bujtina të ndërtuara me investime private, duke lënë pa të ardhura qindra familje që kishin mbështetur ekonominë e tyre në turizmin malor.
Pamjet e ndërhyrjes, përplasjet me banorët dhe mbetja e turistëve të habitur nga ndërhyrja e beftë në mes të sezonit veror shkaktuan një reagim të gjerë në rrjete dhe në opinionin publik.
Tani, e njëjta qeveri shpall rikthimin te tradita e kullave, duke i paraqitur ato si atraksione të mundshme kulturore dhe turistike. Kjo ka shtuar dyshimet se projekti ka më shumë karakter propagandistik sesa zhvillimor, në sfondin e interesave të ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme.
Analistët e lidhin këtë nismë edhe me raportet ndërkombëtare, përfshirë atë të Departamentit Amerikan të Shtetit, që paralajmëroi se Shqipëria është bërë një prej vendeve ku paratë e krimit po investohen në ndërtimin e kullave dhe blerjen e pronave.
Në këtë këndvështrim, për shumë vëzhgues, “rijetëzimi i kullave” shihet si një model i vjetër në formë të re, ku promovimi i trashëgimisë kulturore përzihet me interesat ekonomike të grupimeve të fuqishme që veprojnë pranë pushtetit.
