
Administrata amerikane lidh programin e vizave të diversitetit me autorin e dyshuar të të shtënave në Brown dhe MIT, duke e konsideruar rrezik për sigurinë kombëtare
Administrata e presidentit Donald Tramp ka pezulluar përkohësisht programin e lotarisë së green card, të njohur si programi i vizave të diversitetit, pas ngjarjeve të rënda me armë zjarri në universitetet Brown dhe MIT. Vendimi u konfirmua nga sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, e cila deklaroi se masa është marrë me urdhër të drejtpërdrejtë të presidentit.
Sipas autoriteteve amerikane, i dyshuari për sulmet, Claudio Neves Valente, shtetas portugez, kishte hyrë fillimisht në Shtetet e Bashkuara në vitin 2000 me vizë studenti dhe kishte përfituar statusin e rezidentit të përhershëm në vitin 2017. Ai u gjet i vdekur mbrëmjen e së enjtes, ndërsa autoritetet raportojnë se bëhet fjalë për vetëvrasje me armë zjarri.
Sekretarja Noem theksoi se individë të tillë nuk duhet të kishin marrë kurrë leje qëndrimi në SHBA dhe se rasti po përdoret për të rishikuar në thellësi politikat e imigracionit. Presidenti Tramp ka qenë prej vitesh kundërshtar i hapur i programit të lotarisë së green card, duke e konsideruar atë si të pasigurt dhe të rrezikshëm për sigurinë kombëtare.
Pezullimi i këtij programi vjen pas rasteve të mëparshme, ku administrata Tramp ka shtrënguar politikat e imigracionit pas ngjarjeve të dhunshme. Në muajin nëntor, pas një sulmi fatal ndaj pjesëtarëve të Gardës Kombëtare, qeveria amerikane vendosi masa të ashpra ndaj emigracionit nga Afganistani dhe vende të tjera.
Programi i vizave të diversitetit ofron çdo vit deri në 50 mijë green card për shtetas nga vende me përfaqësim të ulët emigrantësh në SHBA, kryesisht nga Afrika dhe rajone të tjera. Për vitin 2025, rreth 20 milionë persona aplikuan për këtë program, ndërsa mbi 131 mijë u përzgjodhën, përfshirë edhe bashkëshortët e fituesve. Nga Portugalia, vetëm 38 aplikantë rezultuan fitues.
Fituesit e lotarisë i nënshtrohen më pas intervistave konsullore dhe procedurave të verifikimit, njësoj si çdo aplikant tjetër për green card. Megjithatë, administrata amerikane po sinjalizon se ky mekanizëm mund të rishikohet rrënjësisht ose të hiqet përfundimisht, duke e kthyer çështjen e imigracionit në një tjetër betejë të fortë politike në SHBA.
