
Kapja e Nicolas Maduro shihet si goditje e rëndë për diplomacinë e Kremlinit dhe ndikimin e Moskës jashtë Euroazisë
Operacioni ushtarak i Shteteve të Bashkuara në Venezuelë dhe kapja e presidentit Nicolas Maduro kanë shkaktuar tronditje në Moskë, duke i hequr Rusisë aleatin e saj më të rëndësishëm në kontinentin amerikan. Zhvillimi vjen në një moment delikat për politikën e jashtme ruse, e cila po përballet me humbje të njëpasnjëshme të ndikimit në disa rajone kyçe.
Pamjet e Maduros nën kontroll amerikan janë pritur me shqetësim në Kremlin, ku Vladimir Putin deri tani ka shmangur reagimin publik. Presidenti amerikan Donald Tramp ka deklaruar se Moska nuk ishte paralajmëruar për operacionin, duke theksuar se kjo nuk konsiderohej e nevojshme. Paralelisht, Tramp ka shtuar kritikat ndaj Putinit për luftën në Ukrainë, duke rritur më tej tensionet politike.
Venezuela ka qenë për vite me radhë një shtyllë strategjike për Rusinë në Amerikën Latine, si në aspektin diplomatik ashtu edhe në atë energjetik dhe ushtarak. Rënia e regjimit të Maduros përfaqëson një dobësim të ndjeshëm të pranisë ruse në hemisferën perëndimore, pas goditjeve të mëparshme që Moska ka pësuar në Lindjen e Mesme dhe përballë izolimit ndërkombëtar për shkak të konfliktit në Ukrainë.
Analistët vlerësojnë se humbja e këtij aleati kufizon hapësirat manovruese të Rusisë në arenën globale dhe rrit varësinë e saj nga pak partnerë të mbetur strategjikë. Ndërkohë, pritet që zhvillimet në Venezuelë të ndikojnë edhe në ekuilibrat energjetikë dhe në rivalitetin mes fuqive të mëdha në skenën ndërkombëtare.
