 
        
Biznesmeni kosovar, pas dëshmisë në Prokurorinë e Tiranës për hetimin mbi projektin e aeroportit të Vlorës, dha një mesazh optimist, duke theksuar se beson në procesin ligjor dhe në përfundimin e suksesshëm të investimit.
Pas rreth tre orësh marrjeje në pyetje në Prokurorinë e Tiranës, biznesmeni i njohur Behgjet Pacolli doli sot para mediave me një qëndrim të qetë dhe të sigurt për ecurinë e hetimeve dhe fatin e projektit të aeroportit të Vlorës.
Pacolli konfirmoi se ka bashkëpunuar plotësisht me organet e drejtësisë dhe se çështja është në duart e institucioneve përkatëse. “E kam lënë në dorë të drejtësisë. Kam besim të plotë se gjithçka do të sqarohet dhe vendimet do të respektohen. Aeroporti i Vlorës do të bëhet dhe do të jetë më i bukuri,” u shpreh ai.
Biznesmeni kosovar është një nga përfaqësuesit kryesorë të konsorciumit që ka marrë përsipër ndërtimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës, një nga projektet strategjike të infrastrukturës shqiptare. Hetimet e Prokurorisë lidhen me procedurat financiare dhe kontraktuale të realizimit të projektit, i cili ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik për shkak të vonesave dhe mosmarrëveshjeve mes ortakëve.
Pavarësisht hetimeve, Pacolli përsëriti angazhimin e tij për ta çuar deri në fund investimin dhe për ta kthyer aeroportin e Vlorës në një pikë moderne hyrëse për turizmin dhe ekonominë shqiptare.

 
         
         
         
         
        