
Vajza e presidentit amerikan viziton zonën e hidrovorit në Vlorë, në fokus vlerësimi i vijës bregdetare dhe potencialit për investime strategjike
Pas vizitës në Zvërnec, Ivanka Tramp ka vijuar axhendën e saj në Vlorë me një ndalesë në zonën e hidrovorit në Akërni, një nga fshatrat më të braktisur dhe të izoluar të jugut të Shqipërisë pas viteve ’90. Vizita u zhvillua pas përfundimit të një takimi në një hotel të qytetit të Vlorës dhe u shoqërua me masa të forta sigurie.
Akërnia, që ndodhet në komunën Novoselë të rrethit të Vlorës, u vizitua nga Ivanka Tramp në shoqërinë e arkitektëve të njohur, ndërsa në terren ishin të pranishme edhe forca të shumta policie. Burime bëjnë me dije se ndalesa kishte për qëllim vlerësimin nga afër të vijës bregdetare, hapësirave përreth dhe infrastrukturës ekzistuese, për të analizuar potencialin zhvillimor të zonës.
E konsideruar prej vitesh si një nga zonat më të izoluara, Akërnia njihet gjithashtu për kushtet e favorshme natyrore dhe pozicionin strategjik, që e bëjnë atë tërheqëse për investime afatgjata, veçanërisht në turizmin elitar dhe zhvillimin ekonomik. Sipas burimeve lokale, vitet e fundit çmimi i pronave në këtë zonë ka njohur rritje të ndjeshme, edhe për shkak të afërsisë me aeroportin e ri.
Prania e Ivanka Tramp ka tërhequr vëmendje të madhe, duke nxitur spekulime se Akërnia mund të jetë në fokus të projekteve të ardhshme me profil të lartë investimesh, në një zonë që për dekada ka mbetur jashtë hartës së zhvillimit.
