
Pas shkarkimit nga detyra, këshilltarët kërkojnë lejimin e kryebashkiakut të marrë pjesë fizikisht në mbledhjet për projektbuxhetin, duke e cilësuar proces ligjor dhe me interes publik
Këshilli Bashkiak i Tiranës i ka drejtuar një kërkesë zyrtare Prokurorisë së Posaçme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të lejuar kryebashkiakun Erion Veliaj të marrë pjesë fizikisht në mbledhjet e konsultimit dhe detajimit të projektbuxhetit 2026. Kërkesa lidhet me procesin e diskutimit të buxhetit për qytetin, i cili konsiderohet detyrim ligjor i përcaktuar nga legjislacioni për vetëqeverisjen vendore.
Në shkresën zyrtare, anëtarët e këshillit theksojnë se prania e kryetarit të bashkisë është e domosdoshme për të garantuar bashkëpunimin institucional dhe trajtimin e çështjeve me interes publik. Sipas tyre, përgatitja dhe paraqitja e projektbuxhetit është një e drejtë dhe një përgjegjësi funksionale e kryetarit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, e garantuar nga ligji.
Këshilli kërkon që, në rast se ndaj Veliajt janë duke u zbatuar masa kufizuese, të vlerësohet mundësia e lejimit të përkohshëm për pjesëmarrje fizike në një nga datat mes 16 dhe 18 dhjetorit 2025. Në të njëjtën kohë, këshilltarët shprehen të gatshëm të bashkëpunojnë për çdo kërkesë sigurie, protokolli apo logjistike, me qëllim garantimin e një procesi ligjor, transparent dhe funksional.
Dy ditë më parë, vetë Erion Veliaj i ishte drejtuar me letër Këshillit Bashkiak, duke kërkuar që mendimi i tij të merrej parasysh përpara miratimit të buxhetit 2026. Ai kishte theksuar se miratimi i buxhetit pa konsultim me kryetarin e zgjedhur përbën devijim nga standardet e qeverisjes vendore dhe pengim të ushtrimit të mandatit demokratik.
Erion Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme që vendosi ndaj tij masën e sigurisë arrest në burg, me kërkesë të SPAK. Kryebashkiaku akuzohet për disa vepra penale, përfshirë korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të paligjshme në ambientet e burgut.
