
Ilber Domi dyshohet se ka investuar të ardhura kriminale nga trafiku i narkotikëve në prona dhe pasuri të luajtshme
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka paraqitur kërkesë për konfiskimin e pasurive të shtetasit Ilber Domi, i arrestuar nga autoritetet në Gjermani për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, të parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.
Sipas Prokurorisë, nga hetimet mbi procedimin pasuror nr. 01 të vitit 2025 ka rezultuar se ky shtetas ishte shpallur më herët në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden për trafik narkotikësh, si edhe për mbajtje dhe shitje të armëve luftarake dhe municioneve, vepra të parashikuara nga Kodi Penal Gjerman.
Hetimet tregojnë se veprimtaria kriminale është ushtruar gjatë viteve 2019–2020 dhe ka paraprirë në kohë investimet e kryera për blerjen e pasurive të paluajtshme. Sipas urdhrit të kërkimit ndërkombëtar, Ilber Domi dyshohet se ka qenë i përfshirë në disa episode të shitblerjes së lëndëve narkotike, aktivitet nga i cili janë gjeneruar të ardhura të konsiderueshme financiare.
Nga analiza financiare e detajuar rezulton se të ardhurat e ligjshme të deklaruara nga shtetasi I.D. dhe familjarët e tij janë dukshëm më të ulëta se vlera e investimeve dhe shpenzimeve të kryera ndër vite. Për këtë arsye, Prokuroria dyshon se pasuritë janë krijuar nga burime kriminale.
Në përfundim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka kërkuar konfiskimin e disa pasurive, konkretisht një pasuri të paluajtshme lloji arë me sipërfaqe 850 metra katrorë në Zall Herr, një njësi me sipërfaqe bruto 98.8 metra katrorë, si dhe dy poste parkimi të ndërtuara sipas lejes së ndërtimit për një objekt shumëkatësh në zonën e Bulevardit Blu në Kamëz.
