 
        
Raporti i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka ekspozuar një panoramë shqetësuese të menaxhimit të financave publike, me pasuri të paregjistruara, borxhe të fshehura dhe abuzime që shtrihen në çdo nivel të administratës.
Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka ngritur alarmin për gjendjen e financave publike në Shqipëri, pas auditimeve të zhvilluara gjatë vitit 2024 në institucione qendrore e vendore. Raporti i prezantuar nga kreu i institucionit, Arben Shehu, në Komisionin e Ekonomisë dhe atë të Nismave Qytetare, ka nxjerrë në pah një sërë shkeljesh sistematike që tregojnë mungesë transparence dhe përgjegjshmërie në përdorimin e fondeve publike.
Sipas Shehut, janë kryer 159 auditime në të gjitha nivelet e qeverisjes, të cilat kanë prodhuar mbi 4300 rekomandime, përfshirë masa disiplinore, administrative dhe financiare. Në shumë institucione janë konstatuar pasuri të paregjistruara, mungesë dokumentacioni për pronat publike dhe rrezik real për tjetërsim të aseteve shtetërore.
KLSH evidenton gjithashtu se një pjesë e bashkive të vendit kanë fshehur borxhe dhe detyrime të prapambetura, duke mos i reflektuar në pasqyrat zyrtare financiare. “Në disa bashki mungon evidenca e detyrimeve, nuk janë llogaritur kamatëvonesat dhe nuk janë regjistruar vendimet gjyqësore që njohin borxhet ndaj palëve të treta,” theksoi Shehu.
Raporti përfshin edhe problematika në menaxhimin e burimeve njerëzore, ku janë zbuluar raste të shumta të largimeve të padrejta nga puna, një praktikë që, sipas KLSH, mbetet e përhapur në administratën publike.
Për rastet më të rënda, institucioni ka dërguar 13 kallëzime penale në Prokurori dhe ka përcjellë 35 materiale të tjera për hetime të mëtejshme. “Veprimet dhe mosveprimet e konstatuara kanë shkelur ligjin dhe kanë sjellë pasoja të rënda për buxhetin e shtetit,” tha Shehu, duke nënvizuar se KLSH do të vijojë kontrollet e thelluara në sektorë të ndjeshëm si pasuritë publike, koncesionet dhe financat vendore.
Raporti i këtij viti përbën një tjetër dëshmi se korrupsioni dhe keqmenaxhimi mbeten sfidat kryesore të administratës shqiptare, ndërsa pasuritë e shtetit vijojnë të mbeten në rrezik përballë mungesës së kontrollit real dhe llogaridhënies.

 
         
         
         
         
        