
Një mesazh i dërguar aksidentalisht nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, sipas PD, ka hedhur dritë mbi planin e mazhorancës për të shmangur zhvillimin e debatit parlamentar dhe për të kaluar menjëherë në votim gjatë seancës së sotme.
Balla, i cili kishte thirrur më herët deputetët socialistë për t’i orientuar mbi mënyrën e menaxhimit të seancës, ka shpërndarë një mesazh udhëzues për kolegët e tij, por në vend që ta dërgonte në kanalin e brendshëm të komunikimit të grupit parlamentar të PS-së, ai e ka dërguar gabimisht në grupin zyrtar të Konferencës së Kryetarëve, një grup që përfshin drejtues nga të gjitha forcat politike në Kuvend.
Në mesazh, Balla shkruan: “Lutem secili komisionin e tij ta ketë në sallë.”
Sipas demokratëve ky ishte një sinjal për deputetët socialistë që të jenë të gjithë të pranishëm në sallë për të kaluar direkt në votim, pa lejuar diskutime të zgjatura apo ndërhyrje nga opozita.