Opozita ngre akuza për mungesë transparence dhe shkelje të ligjit në tenderat për depozitimin e mbetjeve urbane, ku përfitues mbetet e njëjta kompani e përfshirë në çështjen e inceneratorëve.
Partia Demokratike ka hedhur akuza të reja ndaj Bashkisë së Durrësit, duke e akuzuar për favorizim dhe shkelje të rënda ligjore në tenderat për menaxhimin e mbetjeve urbane. Sipas zëdhënëses antikorrupsion të PD-së, Genta Vangjeli, institucioni lokal i ka dhënë miliona euro kompanisë “Integrated Energy BV SPV”, pavarësisht se ajo ndodhet nën sekuestro preventive nga SPAK për hetimet mbi aferën e inceneratorëve.
Në deklaratën e saj për mediat, Vangjeli theksoi se në tetor të vitit 2021 Bashkia Durrës kishte lidhur një kontratë me negocim pa shpallje paraprake me këtë kompani, me vlerë totale rreth 13.5 milionë euro për një periudhë katërvjeçare dhe me objekt depozitimin e mbetjeve urbane.
Ajo shtoi se situata është përsëritur këtë vit, më 14 tetor 2025, kur bashkia ka shpallur sërish fituese të njëjtën kompani për një kontratë të re trevjeçare me fond limit 6.2 milionë euro, ndërsa vlera fituese rezulton të jetë e barabartë me fondin maksimal – rreth 7.4 milionë euro me TVSH.
Sipas PD, ky proces është i mbushur me parregullsi të rënda. Vangjeli argumentoi se procedura e negocimit pa shpallje paraprake lejohet vetëm në raste të jashtëzakonshme, si mungesë konkurrence apo rrethana urgjente, çka nuk është e aplikueshme në këtë rast.
Ajo ngriti gjithashtu dyshime për mungesë transparence financiare, pasi nuk është bërë publike as sasia e mbetjeve që do të depozitohen, as specifikimet teknike të shërbimit. Diferencat e dukshme midis kontratës së vitit 2021 dhe asaj të re, sipas saj, ngrenë dyshime për manipulim me fondet publike.
Partia Demokratike i kërkon SPAK të nisë menjëherë hetimet për këtë tender, duke e cilësuar si një tjetër provë të shpërdorimit të parave publike në shërbim të aferave korruptive nën drejtimin e qeverisë dhe pushtetit lokal të majtë.
Në fund të deklaratës, Vangjeli theksoi se në Durrës po paguhen miliona për incenerimin e mbetjeve, ndërkohë që inceneratori nuk ekziston, duke e quajtur këtë simbolin më të qartë të korrupsionit të sistemuar të kësaj qeverie.
