
“Presidenti i Repulikës nuk ka kryer asnjë shkelje dhe nuk do shkarkohet. Në vlerësimin tim Presidenti i Republikës nuk ka shkelur ligjin”, tha Balla.
Fjala e plotë e Ballës pas Konferencës së Kryetarëve:Ka një traditë parlamentare, i referohem këtu vendimit të Kuvendit të vitit 2017 për ngritjen e Komisionit Posaçëm të Reformës Zgjedhore për të garantuar sa të jetë e mundur përfaqësimin e të gjitha partive politike në Kuvend. Kur bëhet fjalë për reformën zgjedhore, është e domosdoshme që edhe partitë parlamentare, të cilat nuk e kanë grup parlamentar, të jenë të përfaqësuara në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhor.
Propozimi ynë ka qenë i njëjtë, si gjithmonë, të jemi të barabartë, edhe në numër edhe në të drejtën e vetos. Dhe kjo është garancia më e madhe që 2 partitë e mëdha kanë. Por Partia Socialiste dëshiron dhe vazhdon të insistojë, dhe prandaj e kemi lënë pezull vetëm këtë pikë të vendimit, në mënyrë që ta miratojmë të gjithë së bashku edhe partitë e tjera parlamentare të jenë aty.Tani, kur ne shohim që kur Partisë Demokratike, këto partitë e vogla i duhen, madje u merr borxh dhe kandidatin për kryetar bashkie sepse vetë nuk kanë, pse duhet t’i përjashtoni këto partitë e vogla nga reforma zgjedhore?
Pyetje: Nëse Partia e Tom Doshit ka një vend ajo është një votë pro jush, ndaj ju keni shumicën në Komisionin për Reformën Zgjedhore?
Balla: E para, unë nuk kam asnjë kompetencë të vë në dyshim rezultatin e zgjedhjeve dhe përfaqësuesit e partive në këtë komision të rëndësishëm. Unë nuk paragjykoj askënd, edhe pse partia që i referoheni, nga diskursi politik dhe më shumë se kaq, ka qenë një ndër më të ashprat përgjatë procesit zgjedhor në 11 maj.Tani unë po them që në një rezultat zgjedhor të ngjashëm deri diku, edhe në 2017 ne kemi bërë këtë gjë. E kemi lënë këtë pikë për ta diskutuar. Unë doja t’ju informoja ju se cili ka qenë qëndrimi im, prandaj thashë edhe në mbledhjen e fundit të Konferencës së Kryetarëve, dhe shpresoj e besoj që të vazhdojmë të jemi të angazhuar për të dhënë një zgjidhje për këtë çështje, se t’ju them të drejtën, ajo që sapo thatë ju bie sapo sjell argumentin që nuk ka asnjë vendim substancial në këtë komision nëse përfaqësuesi i Partisë Demokratike apo ai i Partisë Socialiste ushtron veton. Pra nuk ka asnjë vendimmarrje.
Tani ç’problem ke ti që t’i dëgjosh të gjitha palët që janë të përfaqësuara?Kam sjellë një argument që lidhet me një zgjidhje do ta quaja ekstra-parlamentare që na është dashur të bëjmë në vitin 2020. Pra, nëse do t’i referoheshim grupeve parlamentare në vitin 2020 për të bërë reformën zgjedhore, e kishim të pamundur se Partia Demokratike nuk ishte e përfaqësuar dhe bëmë një zgjidhje: ngritëm një Këshill Politik dhe në Këshillin Politik sollëm Partinë Demokratike, sepse s’kishte grup parlamentar se e kishte lënë rrugëve.
Nesër do të ngrihet reforma zgjedhore. Të shpresojmë që do të ngrihet me konsensus.
Pyetje: Keni dijeni që Presidenti ka zhvilluar edhe veprimtari të tjera private duke u paguar nga një spital privat?
Balla: Unë nuk merrem me thashetheme. Një gjë di t’ju them. E pashë nga media një nga ato strishat që thoshte Bardhi: “Begaj është i paburrë”. Tani unë po ju them që kjo gjë që sapo pashë nga media juaj, nuk lidhet me personin që e ka thënë, se personi që e ka thënë nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që të ketë edhe një etikë institucionale në marrëdhënie me institucionin e Presidentit.
Tani, për t’iu përgjigjur: Presidenti i Republikës nuk ka kryer asnjë shkelje dhe nuk do të shkarkohet. Madje, madje, kush je ti që e thua këtë gjë? Në vlerësimin tim, Presidenti i Republikës nuk ka kryer një shkelje.A ka ngelur ndonjë institucion që nuk ka kërkesë për shkarkim? Kryetari Kuvendi? Më thanë që kanë bërë gati kërkesë për shkarkimin e zotit Pilinci. Presidenti nuk do të shkarkohet sepse shkeljen e Kushtetutës e vërteton vetëm Gjykata Kushtetuese.
Pyetje: Cili është roli i Partisë Socialiste? A ka rol të qartë, a do jeni prezent ju, a do flasë Kryeministri në manifestimin e UÇK-së?
Balla: Ai është një organizim që e bëjnë organizatat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Është një organizim që vjen pas atij që ndodhi në Prishtinë, pas atij që ndodhi në Hagë, dhe është krejt normale që e treta dhe e vërteta të jetë në kryeqendrën e shqiptarëve, në Tiranë.Organizatat e veteranëve të UÇK-së, me të cilët unë jam takuar, dhe sot do kërkoja mirëkuptimin tuaj që të gjitha organizimet që po bëhen dhe 1 000 herë faleminderit të gjitha mediave që po transmetojnë spotin, dhe ju gazetarëve pa përjashtim që i keni dhënë hapësirë. Të dashur qytetarë të Tiranës e të gjithë Shqipërisë: ne shqiptarët na karakterizon atdhedashuria dhe solidariteti. “Bashkimi bën fuqinë”, thoshte Skënderbeu.Të jemi të gjithë së bashku të premten, ora 17:00 në sheshin “Skënderbej” për të dërguar një mesazh solidariteti ndaj 4 komandantëve të UÇK-së, por edhe gjakut të derdhur nga të gjithë ushtarët e UÇK-së të rënë në frontin e betejës për çlirimin e Kosovës.Pyetje: Ju nuk pranoni të miratoni një rezolutë për të dënuar këto akte?Balla: Do dëgjoni nesër përgjigjen për këtë. Duroni, se vetë keni thënë të mos hapemi në shumë çështje.
Pyetje: A ka një organizim nga ju që të jetë pjesëmarrës i gjithë grupi parlamentar i Partisë Socialiste në protestën e ditës së premte?
Balla: Çfarë organizimi duhet për të qenë diçka që i shërben atdheut? Lidhet me kombin tonë. Pra, na thuhet në një aktakuzë që kombi ynë, kur është dashur të çlirojë një pjesë të territorit për të shpëtuar popullin shqiptar të Kosovës, që ishte nën sulm nga makineria vrasëse e Millosheviçit, duhet… kjo nuk është partiake, kjo është kombëtare. Kush e ka zemrën në vendin e duhur dhe kujt i dhemb sadopak për kombin duhet të jetë të premten atje.
Pastaj organizata e veteranëve do të përcaktojë se kush do marrë fjalën, kush është programi. Ç’punë kam unë me programin. Unë do jem atje dhe do shpreh solidaritetin tim kundër një procesi të pandershëm, një proces që e dini si u iniciua. E dinë edhe kush e votoi në 25.01.2011 rezolutën e famshme të Dick Marty. Nuk dua të merrem sot, se jemi marrë boll me atë, dhe do doja shumë të ishin edhe kolegët e Partisë Demokratike.A do jenë deputetët e Partisë Socialiste? Po, si Kryetar i Grupit Parlamentar u kam thënë: dëgjo, mirë është që të jeni. Secili e vlerëson vetë.