
Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend kërkesën për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, duke e akuzuar për një sërë shkeljesh të rënda kushtetuese. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, doli sot para mediave nga Kryesia e Kuvendit, ku deklaroi se Presidenti ka tejkaluar kompetencat e tij në disa raste dhe ka cenuar ndarjen e pushteteve.
Sipas Bardhit: “Begaj ka konsumuar shtatë shkelje të Kushtetutës”, të cilat, sipas opozitës, përbëjnë bazë ligjore për nisjen e procedurave të shkarkimit. Ai tha se veprimet e Kreut të Shtetit kanë minuar rolin neutral të institucionit dhe kanë shkelur parimet e pavarësisë së pushteteve.
“Presidenti i Republikës nuk mund të sillet si zëdhënës i qeverisë, as të ndërhyjë në vendimmarrjen e institucioneve të tjera,” theksoi Bardhi, duke shtuar se dokumentacioni i plotë për shkeljet e pretenduara i është dorëzuar zyrtarisht Kuvendit.
Edhe pse detajet e plota nuk janë bërë publike, burime nga grupi parlamentar i PD bëjnë me dije se akuzat lidhen me qëndrime publike të Begajt, vendime administrative dhe ndërhyrje në çështje që, sipas opozitës, bien ndesh me rolin e tij institucional.
Kërkesa e demokratëve pritet të shqyrtohet në seancë plenare në ditët në vijim, ndërkohë që mazhoranca ende nuk ka dhënë një reagim zyrtar mbi nismën e opozitës.
Ky zhvillim shënon përplasjen më të ashpër mes Partisë Demokratike dhe Presidencës që prej marrjes së detyrës nga Bajram Begaj në vitin 2022.