Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka njoftuar se do të zhvillojë sot në orën 18:00 një takim me demokratët në Shkodër. Lidhur me këtë takim ka pasur reagime të shumta, një ndër to edhe dega lokale e PD-së në Shkodër. Me anë të një mesazhi të shpërndarë strukturave dhe mbështetësve të saj, dega lokale thotë se takimi i Salianjit organizohet nga Benet Beci, kryebashkiak i Shkodrës. Në njoftim thuhet gjithashtu se ky takim i shërben vetëm Edi Ramës dhe qeverisë së tij.
“I dashur anëtar i PD Shkodër. Sot, duke spekuluar në emër të PD-së, po tentohet të organizohet një takim me një axhendë tërësisht private, pa asnjë lidhje me Partinë Demokratike. Ky takim organizohet nga Benet Beci dhe falanga e tij dhe për më keq, me mbështetjen edhe të elementëve kriminalë. Dega e PD Shkodër ju bën thirrje ju, si anëtarë të degës, të distancoheni, pasi ky takim i shkon për shtat axhendës së Edi Ramës”, thuhet në njoftim.
“Axhendë tërësisht private”/ PD në sulm
Siç duket, mes Salianjit dhe PD-së ka një krisje, pas takimeve të fundit të ish-deputetit demokrat. Edhe vetë Lideri i opozitës ka deklaruar më herët se ish-deputeti është vetëpërjashtuar nga PD me këto lëvizje të fundit që po kryen jashtë strukturave partiake. Ndërkohë, Kryedemokrati Sali Berisha do të mbajnë takimin e radhës të Foltores, me strukturat e partisë në qytetin e Korçës në të njejtën orë me Salianjin.
