
Partia Demokratike ka njoftuar se nuk do të dërgojë përfaqësues në protestën e 17 tetorit që do të zhvillohet në Tiranë, në mbështetje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me drejtësinë në Gjykatën Speciale në Hagë.Në një deklaratë për mediat, PD thekson se arsyeja kryesore për mospjesëmarrjen është prania e kryeministrit Edi Rama në këtë tubim.
Partia Demokratike akuzon kryeministrin Rama për qëndrime dhe veprime që sipas saj kanë dëmtuar Kosovën, duke përmendur vendosjen e sanksioneve ndaj saj dhe deklaratën për Veriun e Kosovës si “tokë e askujt”.“Ne e konsiderojmë Luftën e UÇK një luftë çlirimtare të një populli të pushtuar. I konsiderojmë të pafajshëm krerët e UÇK dhe shpresojmë e lutemi për pafajësinë e tyre.
Por ne nuk mund të jemi bashkë me kreun e Narkos që i ka futur thika pas shpine Kosovës sa herë që i është dhënë mundësia, me atë që Kosovës i vendosi sanksione kur asnjë vend tjetër s’e sanksiononte. Ne nuk mund të jemi bashke me atë që Veriun e Kosovës e quajti “Tokë e Askujt”. Ne nuk mund të jemi bashkë me vëllain e Vuçiçit që për makiazh të imazhit të tij antishqiptar tenton të përdorë Luftën e UÇK e krerët e saj”,- thuhet në reagimin e PD-së.