
Pas debateve të brendshme, Partia Demokratike vendos të marrë pjesë në Komisionet për Reformën Zgjedhore dhe Territoriale
Partia Demokratike ka hequr dorë nga bojkoti i Komisioneve për Reformën Zgjedhore dhe Territoriale, duke vendosur të vijojë pjesëmarrjen aktive në proceset reformuese. Vendimi vjen pas debateve dhe qëndrimeve të ndryshme brenda grupit parlamentar, ku një pjesë e deputetëve dolën kundër linjës së bojkotit.
Deputeti Luçiano Boçi deklaroi se pas diskutimeve në strukturat drejtuese të partisë, është arritur në përfundimin se PD duhet të jetë pjesë e këtyre komisioneve dhe të kontribuojë në mënyrë aktive në agjendën e punës. Sipas tij, pjesëmarrja në tryezë është e domosdoshme për të garantuar një proces të drejtë dhe gjithëpërfshirës.
Boçi pranoi se gjatë mbledhjeve të brendshme ka pasur mendime të ndryshme, përfshirë edhe propozime për braktisjen e komisioneve, por vendimi përfundimtar ka qenë që PD të mos tërhiqet nga procesi. Ai theksoi se reformat duhet të ndërtohen përmes dialogut dhe marrëveshjes mes palëve politike.
Sipas përfaqësuesit demokrat, mungesa e konsensusit do ta bënte procesin të dukej i paravendosur, ndërsa qëndrimi në tryezë i jep opozitës mundësinë të ndikojë realisht në përmbajtjen e reformave. PD pritet të marrë pjesë në vijim në punimet e komisioneve, duke mbajtur qëndrimin e saj politik brenda institucioneve.
