

Deklaratat nga Pekini e Pheniani synojnë të thellojnë aleancën politike, në një sfond rivaliteti të ashpër me SHBA dhe Perëndimin.
Kina dhe Koreja e Veriut kanë premtuar të forcojnë bashkëpunimin e tyre politik e diplomatik për t’i rezistuar “hegjemonizmit” në skenën ndërkombëtare, një mesazh i drejtpërdrejtë kundër ndikimit të Shteteve të Bashkuara.
Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, zhvilloi të dielën bisedime në Pekin me homologen e tij koreano-veriore, Choe Son Hui, vetëm disa javë pasi udhëheqësi Kim Jong Un mori pjesë në ceremonitë për përvjetorin e fitores mbi Japoninë në Luftën e Dytë Botërore.
Sipas deklaratës së Ministrisë së Jashtme kineze, Wang theksoi se Pekini është i gatshëm të forcojë koordinimin dhe bashkëpunimin me Korenë e Veriut për çështje rajonale dhe ndërkombëtare, të kundërshtojë çdo formë të hegjemonizmit dhe të mbrojë interesat e përbashkëta, drejtësinë dhe barazinë.
Nga ana e saj, Choe u shpreh se koncepti i Kinës për një komunitet me të ardhme të përbashkët për njerëzimin dhe nisma e saj për qeverisje globale janë kontribute të rëndësishme për promovimin e një bote multipolare. Ajo theksoi se Pheniani është i gatshëm të punojë ngushtë me Pekinin për të kundërshtuar politikën e forcës dhe për të ndërtuar një rend botëror më të drejtë.
Lidhjet mes dy vendeve u vlerësuan gjithashtu nga lideri Kim Jong Un, i cili citohet nga agjencia shtetërore KCNA të ketë thënë se miqësia mes Koresë së Veriut dhe Kinës nuk mund të ndryshohet dhe duhet të zhvillohet në përputhje me kërkesat e kohës.
Takimi vjen në një moment kur Pekini përballet me rivalitet të ashpër me Uashingtonin në fusha që variojnë nga tregtia, tek inteligjenca artificiale, ndërsa Pheniani mbetet nën presionin e vazhdueshëm të SHBA për shkak të programeve të tij bërthamore e balistike.
Muajin e kaluar, presidenti kinez Xi Jinping, Kim Jong Un dhe presidenti rus Vladimir Putin u shfaqën së bashku në një paradë ushtarake, duke dhënë një sinjal të qartë të boshtit të ri politik që sfidon dominimin amerikan në arenën globale.