Pëllumb Pelinçi ngre alarmin për korrupsionin dhe pabarazinë ekonomike në vend, duke përmendur emra konkretë si Henri Çili dhe Tërmet Peçi
Pëllumb Pelinçi ka bërë një reagim të fortë në rrjetet sociale, ku shigjeton hapur sistemin e padrejtësive dhe korrupsionit në Shqipëri.
Në postimin e tij, Pelinçi paralajmëron se ish-kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi, mund të arrestohet së shpejti, ndërsa thekson se ndërkohë figura të tjera me ndikim në ekonomi dhe politikë vijojnë të mos preken nga drejtësia.
Sipas tij, vendi është kthyer në Shqipërinë e sekserëve, ku pushteti dhe paraja sundojnë mbi ligjin. “Henri Çili ka miliarda pa llogari, taksat? Zero. Tërmeti arrestohet për pak, oligarkët grabisin miliona e askush s’pyet. Shqipëria e sekserëve,” shkruan Pelinçi.
Reagimi i tij ka ngjallur debat në rrjet, pasi vjen në një periudhë kur SPAK dhe institucionet e drejtësisë janë në fokus të opinionit publik për hetimet ndaj disa zyrtarëve të lartë.
Pelinçi, i njohur për qëndrimet e drejtpërdrejta dhe shpesh provokuese, ka përsëritur shpesh se në Shqipëri drejtësia vepron selektivisht dhe se fajtorët e vërtetë janë ata që blejnë heshtjen e sistemit.
