

Organizatat e shtypit dhe gazetat më të mëdha amerikane reagojnë ashpër ndaj masave të reja, duke i cilësuar si sulm ndaj lirisë së fjalës dhe transparencës.
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka shpallur masa të reja kufizuese ndaj mediave që mbulojnë veprimtarinë ushtarake, duke kërkuar nga gazetarët të nënshkruajnë një zotim për të mos publikuar informacione të paautorizuara.
Sipas rregullave të reja, të shpallura nga Departamenti i Luftës (ish-Departamenti i Mbrojtjes), çdo informacion edhe kur nuk është sekret, duhet të miratohet nga një autoritet i caktuar përpara publikimit. Refuzimi për të nënshkruar këtë marrëveshje mund të çojë në humbjen e akreditimit për mbulimin e Pentagonit.
Masat parashikojnë gjithashtu kufizime për lëvizjen e gazetarëve brenda ndërtesës së Pentagonit në Arlington, Virxhinia, duke e shpallur pjesën më të madhe të saj si zonë të ndaluar pa shoqërues.
Sekretari i Luftës, Pete Hegseth, shkroi në platformën X: “‘Shtypi’ nuk e drejton Pentagonin, populli e drejton. Gazetarët nuk do të enden më të lirë në një godinë të sigurt. Mbaje distinktivin dhe ndiq rregullat, ose shko në shtëpi.”
Këto masa janë dënuar gjerësisht nga mediat kryesore amerikane, përfshirë The New York Times, The Washington Post, The Wall Street Journal dhe Reuters.
Mike Balsamo, presidenti i Klubit Kombëtar të Shtypit, i cilësoi ndryshimet si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj gazetarisë së pavarur.
“Nëse lajmet mbi ushtrinë duhet të miratohen nga qeveria përpara se të botohen, atëherë publiku nuk po merr më informacion të pavarur, por vetëm atë që zyrtarët duan t’u tregojnë. Kjo duhet t’i shqetësojë të gjithë amerikanët,” -deklaroi ai.
Seth Stern, drejtues i Fondacionit për Lirinë e Shtypit, theksoi se kjo politikë përbën censurë paraprake dhe është një shkelje e rëndë e Amendamentit të Parë, duke kujtuar vendimin historik të Gjykatës së Lartë në vitin 1971 për çështjen e Pentagon Papers, që mbrojti të drejtën e mediave për të publikuar dokumente të klasifikuara mbi luftën e Vietnamit.