
Qeveria propozon ndarje të re kadastrale me 176 zona, Gjiri i Lalzit dhe Hamallaj arrijnë në 190 mijë lekë për metër katror
Për herë të parë në Shqipëri, shitblerja e ndërtesave dhe apartamenteve në zonat rurale do të kryhet mbi bazën e çmimeve fiskale të referencës, një ndryshim që prek drejtpërdrejt fshatrat në të gjithë vendin, me fokus të veçantë zonat turistike bregdetare.
Sipas tabelave dhe hartave digjitale të përgatitura nga grupi i punës, çmimet më të larta të referencës për fshatrat regjistrohen në vijën e parë bregdetare të Gjirit të Lalzit dhe Hamallajt, ku çmimi arrin në 190 mijë lekë për metër katror. Këto zona përfshihen në zonën kadastrale nr.4 të bashkisë Durrës dhe konsiderohen aktualisht më të shtrenjtat në territorin rural.
Në zonat pas vijës së parë të detit në Lalëz dhe Hamallaj, çmimi i referencës do të jetë 90 mijë lekë për metër katror, ndërsa për zonat e tjera rurale të Durrësit propozohet çmim reference 67 500 lekë për metër katror, i barabartë me çmimin aktual të qytetit.
Në jug të vendit, në bashkinë Himarë, vija e parë bregdetare e fshatrave Dhërmi dhe Palasë do të ketë çmim reference 140 mijë lekë për metër katror. Në Vuno çmimi propozohet 100 mijë lekë, ndërsa në Livadh dhe zonat përreth Himarës do të zbatohet çmimi 81 mijë lekë për metër katror.
Në Sarandë, fshati më i shtrenjtë rezulton Ksamili, ku për vijën e parë bregdetare çmimi i referencës do të jetë 100 mijë lekë për metër katror. Zonat pas vijës bregdetare të Ksamilit dhe fshatrat përreth Sarandës do të kenë çmim reference 56 mijë lekë për metër katror, sa niveli aktual i qytetit.
Edhe bashkia Vlorë përfshihet në rritje, ku fshatrat Radhimë dhe Orikum në vijën bregdetare do të kenë çmim reference 90 mijë lekë për metër katror. Zonat e tjera rurale të bashkisë, pas vijës bregdetare, do të aplikojnë çmimin 61 800 lekë për metër katror.
Në veri të vendit, Velipoja kryeson për zonat rurale bregdetare, me çmim reference 75 mijë lekë për metër katror në vijën e parë të detit, ndërsa zonat e brendshme do të mbeten në nivelin 58 mijë lekë për metër katror, sa çmimi aktual për qytetin e Shkodrës. Në Tale të Lezhës dhe Shëngjin çmimi i referencës do të jetë 70 mijë lekë për metër katror.
Me përfshirjen e fshatrave në hartën fiskale, numri i zonave kadastrale në shkallë vendi rritet në 176, nga 65 që ishin më parë. Qeveria synon që bashkitë të mos kenë më të drejtë të ulin çmimet për zonat rurale, por të zbatojnë detyrimisht çmimet e reja të referencës për llogaritjen e taksës së ndërtesës dhe taksës së ndikimit në infrastrukturë.
Projektvendimi me ndarjen e re kadastrale dhe çmimet fiskale të përditësuara pritet të miratohet nga Këshilli i Ministrave, duke shënuar një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën e taksimit të pronave në fshatra, veçanërisht në zonat turistike bregdetare.
