
Në dosjen hetimore të SPAK, zbardhur nga përgjimet e platformës së enkriptuar SkyEcc, dalin në dritë biseda tronditëse mes Ermir Dedjes dhe Elidon Avdylit, pjesëtarë të një grupi të strukturuar kriminal. Më 21 tetor 2020, Dedja deklaron se e sheh veten si një “misionar të dërguar nga Zoti” për të pastruar shoqërinë nga njerëzit e këqij. “Ne na ka prurë Zoti me maru robt e këqij, me pastru terrenin që të rritet brezi i ri me qytetarizëm të mirë pa negativa vërdallë”, thuhet në bisedën e shkëputur nga përgjimet e SkyEcc.Biseda daton më 21 tetor 2020 mes Ermir Dedjas dhe Elidon Avdylit.
Në bisedat e tjera, Dedja flet hapur për përgatitje konkrete për vrasje, duke përmendur mbushjen e karikatorëve me fishekë, pastrimin e armëve dhe ndjekjen e objektivit që nga konteksti dyshohet të jetë shtetasi Edmir Bregu. Mesazhet tregojnë një përfshirje të thellë në veprimtari kriminale të mirëorganizuar, me kontroll të përditshëm në qytetin e Durrësit dhe koordinim të qartë mes anëtarëve të grupit për kryerjen e atentateve.
Komunikimet e ruajtura në SkyEcc përshkruajnë një situatë ku dhuna dhe krimi përshkruhen si mision “moral” nga vetë autorët, ndërsa SPAK i konsideron këto prova kyçe në hetimin e rrjetit kriminal që vepronte në Durrës. Hetimet vazhdojnë për të dokumentuar lidhjet mes këtij grupi dhe ngjarjeve të tjera të rënda kriminale në vend.