
Tre shtetas italianë u ndaluan në Portin e Durrësit me çanta që përmbanin pajisje përgjimi, GPS dhe mjete teknike, ndërsa dyshohet se vepronin për llogari të një hetimi në Itali
Një skuadër e Guardia di Finanza-s italiane është ndaluar nga Policia Shqiptare në Portin e Durrësit, teksa po largohej drejt Italisë pas një qëndrimi rreth 24 orësh në territorin shqiptar. Në furgonin ku udhëtonin u gjetën çanta me pajisje përgjimi, GPS, tela, kaçavida dhe pinca, të cilat janë sekuestruar, ndërsa emrat e personave nuk janë bërë publikë për të shmangur tensione institucionale mes dy vendeve.
Sipas burimeve, dy prej tyre janë prezantuar si oficerë të Guardia di Finanzas dhe kanë deklaruar se kishin autorizim për pajisjet, por nuk paraqitën asnjë dokument zyrtar që e vërtetonte këtë. Pas marrjes së deklarimeve, tre shtetasit italianë janë lënë të lirë për të vijuar udhëtimin, ndërsa pajisjet janë sekuestruar nga Policia Kufitare e Durrësit.
Rasti është dërguar në Prokurorinë e Durrësit për hetime të mëtejshme. Dyshimet paraprake sugjerojnë se grupi mund të ketë hyrë në Shqipëri për operacione përgjimi të lidhura me një hetim në Itali, megjithatë objektivi i misionit nuk është bërë i ditur dhe ngjarja nuk është publikuar në asnjë komunikatë zyrtare.
Hetimet vijojnë.
