
Uji pushton qelitë në katin e parë, të burgosurit transferohen në katin e dytë mes reshjeve të dendura
Situata nga përmbytjet në qytetin e Durrësit është rënduar ndjeshëm, duke prekur edhe paraburgimin e këtij qyteti. Si pasojë e reshjeve intensive, një pjesë e madhe e qelive në katin e parë të institucionit janë mbushur me ujë, duke detyruar autoritetet të ndërmarrin masa emergjente.
Sipas raportimeve, disa nga të burgosurit janë transferuar në katin e dytë të godinës për arsye sigurie. Mes tyre raportohet se ndodhen edhe ish-funksionarë të njohur publik, të cilët aktualisht vuajnë dënimin ose masën e sigurisë në këtë institucion.
Përmbytjet kanë vështirësuar ndjeshëm edhe hyrjen në ambientet e paraburgimit. Gardianët dhe përfaqësues të tjerë të institucionit janë detyruar të përdorin mjete alternative për të hyrë në godinë. Pamjet e publikuara në media tregojnë se efektivët futen brenda territorit të burgut me gomone, për shkak të nivelit të lartë të ujit.
Në paraburgimin e Durrësit ndodhen aktualisht figura të njohura publike, mes tyre ish-ministri Ilir Beqaj, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj si dhe ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja.
Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa përmbytjet në Durrës po shkaktojnë probleme serioze edhe për banorët e zonave të ulëta të qytetit.
