December 14, 2025

Përmbytje shkatërrimtare në Azi: Mbi 2 mijë të vdekur ose të zhdukur në Indonezi dhe Sri Lanka

Miliona të prekur nga përmbytjet, rrëshqitjet e dheut dhe stuhitë në Azinë Jugore dhe Juglindore

Një valë përmbytjesh, rrëshqitjesh masive të dheut dhe stuhish të fuqishme ka goditur rëndë Azinë Jugore dhe Juglindore, duke lënë mbi 2 mijë persona të vdekur ose të zhdukur, ndërsa miliona të tjerë janë prekur nga katastrofa natyrore. Indonezia dhe Sri Lanka janë vendet më të goditura, sipas të dhënave zyrtare të publikuara të shtunën.

Indonezia ka pësuar pasojat më të rënda. Agjencia Kombëtare e Menaxhimit të Fatkeqësive njoftoi se të paktën 995 persona kanë humbur jetën dhe 226 rezultojnë ende të zhdukur në ishullin e Sumatrës. Mbi 5 mijë persona janë plagosur, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë në kushte të vështira.

Autoritetet indoneziane bëjnë me dije se përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut kanë prekur më shumë se 3.2 milionë banorë në provincat Sumatra Veriore, Sumatra Perëndimore dhe Aceh, duke detyruar mijëra familje të braktisin banesat dhe duke shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturën rrugore, energjetike dhe shëndetësore.

Situata është po aq dramatike edhe në Sri Lanka, ku Cikloni Ditwah ka shkaktuar të paktën 640 viktima që nga goditja e tij më 17 nëntor. Sipas Qendrës së Menaxhimit të Fatkeqësive, 211 persona rezultojnë ende të zhdukur. Përmbytjet kanë prekur mbi 1.6 milionë njerëz në mbarë vendin dhe kanë dëmtuar rreth 110 mijë banesa, nga të cilat mbi 5,700 janë shkatërruar plotësisht.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka raportuar gjithashtu humbje të shumta jetësh edhe në vende të tjera të rajonit. Në Tajlandën jugore janë konfirmuar të paktën 185 viktima dhe 367 persona të zhdukur, ndërsa raste fatale janë regjistruar edhe në Indi dhe Malajzi për shkak të kushteve ekstreme të motit.

Autoritetet lokale dhe organizatat ndërkombëtare humanitare paralajmërojnë se bilanci mund të rritet, ndërsa nevojat për ndihma emergjente, ushqim, strehim dhe kujdes mjekësor mbeten kritike për miliona njerëz të prekur nga një prej katastrofave më të rënda klimatike të viteve të fundit në rajon.