
Dalja e lumit Erzen nga shtrati përmbyt banesa, qytetarët thonë se nuk largohen pa kafshët
Situata në Durrës është përkeqësuar ndjeshëm këtë të enjte, pasi dalja e lumit Erzen nga shtrati ka shkaktuar rritje të sipërfaqeve të përmbytura. Më problematike paraqitet gjendja në zonat e Sukth dhe Katund i Ri, ku autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të rreth 500 banorëve.
Megjithatë, jo të gjithë qytetarët po i binden urdhrit të evakuimit. Një prej tyre, Ndue Prenga, ka deklaruar për mediat se nuk mund të largohet nga banesa për shkak të kafshëve që mban. Ai shprehet se situata është tepër e rëndë dhe se përmbytjet i janë përsëritur disa herë.
Sipas tij, uji ka hyrë në banesë rreth orës 04:30 të mëngjesit, duke i shkaktuar dëme të mëdha materiale. Ai tregon se gjatë natës ka qëndruar zgjuar nga frika dhe se janë dëmtuar mobiliet dhe pajisjet shtëpiake.
Qytetari thotë se përfaqësues të autoriteteve kanë shkuar për ta evakuuar dhe për ta dërguar në zonën e Vollgës, por ai ka refuzuar, duke theksuar se nuk mund të largohet pa u kujdesur për kafshët. Sipas tij, evakuimin do ta bëjë në ditët në vijim, por jo menjëherë.
Ndërkohë, autoritetet vijojnë apelimin për largim të menjëhershëm nga zonat e rrezikuara, duke theksuar se prioritet mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, ndërsa situata nga përmbytjet mbetet nën monitorim të vazhdueshëm.
