

Përmbytjet e mëdha që kanë goditur Pakistanin prej fundit të qershorit, po kthehen në një krizë shëndetësore të gjerë. Ekspertët paralajmërojnë rrezikun e shpërthimit të kolerës dhe sëmundjeve të tjera të transmetuara nga uji, nëse nuk merren menjëherë masa parandaluese.
Sipas Kombeve të Bashkuara, mbi 6 milionë njerëz janë prekur nga shirat e dendur musonikë, përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut. Më shumë se 1mijë persona kanë humbur jetën, mbi 12,500 shtëpi janë shkatërruar dhe 2 milionë banorë janë zhvendosur.
Kushtet në kampet e emergjencës po rrisin ndjeshëm rrezikun e epidemive. “Qasja në ujë të pastër, higjienë dhe mbështetje ushqimore duhet të jenë prioritet absolut,” -tha infektologia Dr. Shobha Luxmi. Kryqi i Kuq Britanik paralajmëroi mungesë të tualeteve dhe kushteve minimale të higjienës, duke shtuar se kjo situatë mund të çojë në përhapje të shpejtë të dizenterisë dhe kolerës.
Pakistani, një vend që kontribuon më pak se 1% në emetimet globale, është renditur mes 10 vendeve më të rrezikuara nga ndryshimet klimatike. Përmbytjet e vitit 2022 mbuluan një të tretën e territorit, duke shkaktuar 1,700 viktima dhe dëme ekonomike mbi 30 miliardë dollarësh. Vitet e fundit, valët e të nxehtit, shkrirja e akullnajave dhe përmbytjet e shpeshta po e vendosin vendin në një gjendje emergjence të përhershme.
Amnesty International ka paralajmëruar se sistemi shëndetësor i Pakistanit është i nënfinancuar dhe i mbingarkuar, duke dështuar të përballojë nevojat e fëmijëve dhe të moshuarve në kushtet e krizave klimatike.